Presidenti Thaçi thërret seancën konstituive të Kuvendit, më 3 gusht 2017
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka thirrur mbledhjen e parë të Legjislaturës së Gjashtë të Kuvendit të Republikës së Kosovës më 3 gusht 2017, në orën 10:00.
Kryetarin dhe Kryesinë e Legjislaturës së Pestë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në pajtim me legjislacionin përkatës në fuqi, Presidenti Thaçi i ka udhëzuar që të përgatisin edhe propozimin e rendit të ditës.
Ky vendim, i cili ka hyrë në fuqi sot, presidenti Thaçi e ka marrë duke u bazuar në nenin 66 (paragrafi 3) dhe nenin 84 (pika 3) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenin 6 të Ligjit Nr. 03/L-094 për Presidentin e Republikës së Kosovës, si dhe duke marrë parasysh vendimin e datës 8 korrik 2017, të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës të 11 qershorit 2017.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.