Prishtina ndalon kapsollat – Urdhri i Ahmetit: Gjobë nëse përdoren në hapësira publike
Një praktikë e zakontë gjatë festave të fundvitit është edhe hedhja e kapsollave në rrugë, të cilat shpeshherë rrezikojnë të dëmtojnë të tjerët dhe që së paku shkaktojnë shqetësim për shumë individë.
Për të adresuar këtë problem, Komuna e Prishtinës ka vendosur të marrë një masë, duke urdhëruar ndalimin e përdorimit të produkteve piroteknike në vendet e hapura publike. Kjo do të thotë se as kapsollat, e as llojet e tjera të fishekzjarrëve nuk do të lejohet të përdoren në tregje, rrugë apo sheshe.
Për të forcuar këtë masë, Kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti ka caktuar drejtorinë e Inspeksionit, e cila ka të drejtën të vendosën gjoba prej 100 eurosh për individët që shkelin urdhrin e vlefshëm nga data 30 dhjetor 2017 deri më 3 janar 2018.
Por, nëse kemi parasysh se shumica e “shkelësve” të një dispozite të tillë janë fëmijët dhe adoleshentët, është e paqartë nëse do të ishte vërtetë e nevojshme gjobitja e tyre, apo masa administrative do të përdoret vetëm për tregtarët që reklamojnë produktin e tyre.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.