Pritet rritje e kërkesës për kredi BQE: Bankat e Eurozonës optimiste për tremujorin e tretë
Bankat e Eurozonës parashikojnë se kërkesa për kredi nga korporatat dhe familjet do të rritet më tej, gjatë tremujorit të tretë të këtij viti, ndërsa edhe standardet e huadhënies do të lehtësohen. Rezultatet vijnë nga vëzhgimi tremujor i Bankës Qendrore Europiane për bankat kryesore të bllokut.
Nëpërmjet blerjes së 2.5 trilionë eurove bono publike dhe private, gjatë tre viteve të fundit, Banka Qendrore Europiane e ka ulur në nivele rekord koston e huamarrjes, me shpresën se kjo do të stimulojë kreditimin dhe shpenzimet, që për rrjedhojë do të rrisin inflacionin, që është objektivi kryesor i këtij institucioni.
Pavarësisht se skema ka funksionuar më ngadalë se parashikimet, kreditimi i ekonomive familjare dhe i korporatave gjenden pranë niveleve të pas krizës. Për këtë arsye, BQE ra dakord muajin e kaluar të mbyllë plotësisht programin e blerjes së obligacioneve, me bindjen se inflacioni po kthehet brenda objektivit, pranë por poshtë 2%.
Sipas BQE, në tremujorin e dytë bankat njohën një rritje të kërkesës për kredi nga korporatat, familjet dhe konsumatorët, ndërsa kriteret e miratimit të kredisë u lehtësuan për të treja kategoritë.
Gjithashtu, sipas institucionit me bazë në Frankfurt, presionet konkurruese dhe perceptimet e rrezikut kontribuuan në lehtësimin e standardeve të kreditimit, gjatë tremujorit të dytë të këtij viti.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.