Pritshmëritë për stimuj nxisin metalet. Rriten kontratat e bakrit në bursën e Londrës. Dollari i ulët ofron mbështetje
Kontratat e bakrit në bursën e Londrës janë rritur këtë javë prej pritshmërive për një paketë gjigante të stimujve nga presidenti i zgjedhur në SHBA, Joe Biden, ndërkohë që dhe rënia e dollarit ka rritur interesin për metalin që kuotohet në valutën e gjelbër. Kontratat tre-mujore të bakrit në Bursën e Metaleve në Londër, (CMCU3) u rritën në 8,006 dollarë për ton. Kandidatja e Biden për të drejtuar Thesarin, Janet Yellen, i bëri thirrje ligjvënësve që të veprojnë mbi paketën e ardhshme të koronavirusit, duke thënë se përfitimet nga rritja e shpenzimeve i tejkalojnë kostot e borxhit më të madh.
Ekspertët thonë se pritshmëritë për stimuj agresivë po favorizojnë metalet, përfshirë çmimin e bakrit. Megjithatë, investitorët qëndrojnë të përmbajtur për shkak se konsumatori më i madh në botë i metaleve, Kina, ka shtuar masat anti Covid. Kontrata më e tregtuar për muajin Mars e bakrit në bursën e Shangait, (SCFcv1) e mbylli ditën tregtare në rënie, në 9,102 dollarë për ton.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.