Problem rritja e pagave – SHBA, nxit rënien e fitimeve për biznesin
Tregu i fortë i punës si dhe rritja e pagave kanë edhe anët e tyre negative. Kompanitë amerikane paralajmërojnë se rritja e pagave po i`u merr atyre nga pjesa e fitimeve, duke rritur ndjeshëm shqetësimet e investitorëve se rënia e fitimeve vitin e ardhshëm mund të jetë më e madhe se ç`pritej më parë.
Më shumë se 10 kompani të listuara në S&P 500 i kanë përmendur këto rreziqe së fundmi. Javën që vjen, një sërë kompanish të mëdha të shitjes me pakicë, si Walmart dhe Macys do të raportojnë rezultatet dhe investitorët janë në pritje të asaj çka do të thonë.
Pra, nëse edhe këta do të fajësojnë tregun e punës për rënien e fitimeve. Shitësit me pakicë dhe restorantet pritet të jenë ndër bizneset më të goditura nga kjo ecuri e re e tregut të punës, siç është rritja e pagave.
Ky duket se do të jetë edhe fokusi i tregjeve javën që vjen. Fitimet e S&P 500 pritet të bien me 9% vitin e ardhshëm si rrjedhojë e rritjes së pagave, dhe kjo gjë shkakton jo pak shqetësim mes investitorëve.
Gjatë Tetorit, pagat pësuan rritjen më të madhe vjetore në më shumë se 9 vite. Vlerësohet se janë rreth 7.14 milionë vende pune në Shtetet e Bashkuara që janë bosh, dhe punëdhënësit janë detyruar që të rrisin pagat për t`i plotësuar këto vende vakante. Amazon një muaj më parë rriti pagën minimale në 15 dollarë në orë për këtë qëllim.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.