Problematikat dhe pritshmëritë – Ministrat “raport” për efektin e reformave
Me krijimin e kabinetit të ri qeverisës do të ndryshojnë në strukturë edhe shume institucione varësie. Ish-zv/kryeministri Niko Peleshi, i cili në kabinetin e ri do mbajë postin e Ministrit të Bujqësisë, bëri me dije përpara anëtarëve të Asamblesë Kombëtare të PS, analizën e veprimtarisë të një sërë institucioneve, duke deklaruar se janë analizuar rreth 500 institucione në të gjithë vendin. Sipas Peleshit, janë 130 institucione që kanë funksione mikse, ndërsa do të shkrihet agjencitë me më pak se 10 persona në staf. Ai propozoi që në Ministrinë e Arsimit të shkurtohen drejtoritë rajonale arsimore.
“Në ministrinë e Arsimit do të krijohet Agjencia e Sigurimi të Cilësisë së Arsimit parauniversitar; 4 drejtori të kësaj agjencia do të ushtrojnë funksionet aktuale të 13 Drejtorive arsimore rajonale. Në ministrinë e Arsimit do të shkrihet shtëpia botuese e teksteve shkollore. Në ministrinë e Zhvillimit Urban shkrihet enti i banesave dhe krijohet fondi i strehimit; dhe ALUIZNI integrohet brenda agjencisë së re të titujve të pronësisë.
Në Ministrinë e Brendshme, krijohet agjencia e mbrojtjes civile, që përfshinë kompetencat e emergjencave civile dhe rezervave materiale. Në këtë ministri do të kaloj në varësi inspektorati i mbrojtjes së territorit, IKMT. Në strukturën e re të Ministrisë së Mjedisit, bashkohen kompetencat e Agjencisë kombëtare të Mjedisit dhe asaj të zonave të mbrojtura. Agjencia e Re do të emërtohet Agjencia Kombëtare e mjedisit dhe e zonave të mbrojtura që do të jenë 4 në nivel kombëtar, dhe shkrihen 12 agjencitë rajonale. Në këtë ministri krijohet një inspektorati i ri: Ai i mjedisit dhe ujërave. Në ministrinë e Mirëqenies sociale do të ketë 4 drejtori të shërbimit social shëndetësor nga 12 që janë aktuale.
Në strukturën e re të ministrisë së Ekonomisë shkrihet drejtoria e Metrologjisë dhe funksionet e saj i kalojnë Inspektorati Shtetëror Teknik Industrial.”
Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, u shpreh se reforma e rregullimit do ti japë fund procedurave të vështira për të marrë një shërbim. Ai informoi mbi lehtësinë qe do te ndërmerren ne procedurat mbi lejet dhe licencat, digjitalizimin dhe shërbimeve publike.
Ndërsa ish-ministre e Ekonomisë, Milva Ekonomi, paraqiti rezultatet e dëgjesave publike dhe më shumë shqetësimet ekonomike të qytetarëve.
“Shqetësimet ekonomike më të larta se mesatarja e vendit, janë Vlorë, Shkodër dhe Berat por të gjitha qarqet kanë nevojë për më shumë tregje. Në Gjirokastër dhe në Dibër, qytetarët kërkojnë më shumë vëmendje për kualifikim më të mirë të punonjësve vendor. Në Dibër, banorët kërkojnë statusin e minatorit”.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.