Problematikat e biznesit – Doganat: Sipërmarrja e painformuar
Prej më se një muaji Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka nisur një fushatë informimi për Kodin e ri doganor dhe dispozitat ligjore që do e shoqërojnë. Por gjatë takimeve të organizuara, komuniteti i biznesit ka ngritur një sërë problematikash që po has gjatë procedurave të ndryshme në dogana.
Ndër problematikat e ngritura ishin oraret e reduktuara të administratës doganore, mosrimbursimi i akcizës, por edhe mungesa e funksionimit të kanalit jeshil.
“Ekziston një orar dhe ne prodhuesit shqiptarë, që eksportojmë në të gjithë Europën, në të gjithë Ballkanin, nuk kemi një vend që shkojmë në orën 10 në doganë edhe na thonë ‘do kaloni nesër’. Në Ballkan nuk ka, në Itali nuk ka, në vende të tjera nuk ka. Kalon, mbaron punë. Në çdo orë që të shkosh do kalosh. Kjo pra, është një nga pengesat më të mëdha të bizneseve tona.
E dyta, u vendosën kontrollet me skanera. Jemi dakord, nuk jemi kundër, le të kontrollohen, por ama sipas Kushtetutës, paguan ai që ka interes, ai që bën punën. Pra, efektivisht duhet ta paguajë shteti këtë punë, kontrollin e bën shteti. Por u bë një tjetër gjë që e ngarkon akoma më shumë biznesin tonë. Nuk bëhet kontrolli me konteiner po bëhet me deklarata doganore”, u shpreh Bardhyl Balteza, i Bashkimit të Prodhuesve.
“Nëse unë jam operator akcize dhe bëj një shpenzim akcize brenda strukturës time, unë duhet të rikompensohem në mënyrë automatike. Nuk kam nevojë të më vijnë operatorë të tjerë doganorë, të më kontrollojnë. Nëse nuk është dakord dogana mund të gjejë arsye”, u shpreh një sipërmarrës.
“Kafshët e gjalla nuk mund të presin pa afat në doganë, nëse punon sistemi ose jo, nëse është marrë miratimi nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ose jo, dhe nëse është operatori/doganieri që merret me procedurat për përjashtimin e përkohshëm të TVSH-së. I referohem Kanalit Jeshil që nuk zbatohet. Në krahasim me Kosovën, në importin e kafshëve të gjalla, nuk vonohet më tepër se 10 minuta. Nëse doganieri ka nevojë të bëjë kontrollin fizik, teknik të kafshëve, është i detyruar të shkojë deri në destinacion”, u shpreh një sipërmarrës tjetër.
Duke iu referuar këtyre problematikave, si dhe akteve të reja ligjore, të cilat pritet të hyjnë në fuqi, Zëvendësdrejtoresha e Përgjithshme e Doganave, Mirela Meko, u shpreh se bizneset janë të painformuar mbi risitë në sistemin doganor.
“Herë pas here mund të kërkoni të informoheni, sepse ne i nxjerrim në ëeb risitë po askush, pjesa më e madhe nuk i lexon. Le të më kundërshtojë njeri. Unë them edhe këto dispozita që kemi nxjerrë nuk e di se si disa prej jush i kanë lexuar. Prandaj ne jemi sot këtu. Është çështje kohe, çështje impenjimi edhe nuk mundeni normalisht të ndiqni hap pas hapi”.
Kodi i ri doganor hyn në fuqi më 1 qershor dhe synon përmirësimin dhe thjeshtimin e mjaft procedurave, rrit sigurinë ligjore për operatorët ekonomikë, si dhe mbështetet në zhvillimin teknologjik të sistemit.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.