Problemet me transportin rrugor – Task-Forca/Në 2019-ën u vendosën 2045 gjoba, 164 mjete me probleme teknike
23.2 milionë lekë është vlera e gjobave të vendosura nga Task-Forca e Transportit Rrugor përgjatë vitit 2019, pas shkeljeve të konstatuara gjatë kontrolleve në 12 qarqet e vendit.
Referuar raportit vjetor, në total u vendosën 2 045 masa administrative, ndërkohë që shkeljet në drejtim të transportit të pasagjerëve dhe mallrave janë nga më të ndryshmet. Numri më i lartë i gjobave është vendosur për mungesë dokumentacioni, ndërsa pas saj renditen taksitë pa licencë.
Shkelje janë konstatuar edhe në drejtim të ndryshimit të deklinacionit, mbingarkesës apo pasagjerë mbi numrin e lejuar.
Por, ndonëse në numër më të vogël në raport me shkeljet e tjera, Task-Forca e Transportit Rrugor ka vendosur 164 gjoba për qarkullimin e mjeteve me të meta teknike. jo mund të konsiderohet edhe një nga shkeljet më të rënda për shkak të mundësisë për të shkaktuar aksidente në rrugë, si pasojë e defekteve të mjetit.
Ndërkaq, sipas të njëjtit raport, shkeljet më të mëdha janë konstatuar te furgonët, ndërsa pas tyre vijnë kamionët dhe taksitë.
Task-Forca rendit si akse më problematike Tiranë-Durrës-Lushnjë, Pogradec-Korçë dhe Tiranë-Lezhë. Po ashtu, problematik rezulton dhe aksi Lushnjë-Gjirokastër.
Task-Forca e Transporti Rrugor nisi të funksionojë në vitin 2019, ndërkohë që ajo do të vijojë aktivitetin e saj edhe përgjatë 2020-ës.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.