Problemet në energjetikë, Kopac: Të ndahet OSHEE, të respektohen afatet ligjore
Sektori i energjisë vazhdon të trashëgojë problematika që në jo pak raste janë evidentuar nga institucione ndërkombëtare.
Komisioni i Veprimtarive Prodhuese u njoh me raportin vjetor të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë për vitin 2017, ku Drejtori ekzekutiv i Sekretariatit, Janez Kopac, tërhoqi vëmendjen e autoriteteve shqiptare marrjen e masave për ndarjen e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.
Një tjetër çështje e ngritur në raport ishte edhe çmimi i energjisë për shumicën e konsumatorëve. Sipas tij, nuk janë ende të rregulluara dhe liberalizimi duhej të niste që më 1 korrik 2015.
Si prioritet, zyrtari i EITI-t rekomandoi nevojën për të zhvilluar legjislacionin dhe sidomos zbatimin e tij në afate.
Por, Kopac u shpreh se duhet përshpejtim i procesit të miratimit të amendamenteve për Bursën e Energjisë, vonesë e cila ka ardhur si pasojë e zgjedhjeve të përgjithshme elektorale të mbajtura në qershor të 2017-s.
Një çështje tjetër më rëndësi ishte dhe ajo e interkonjeksionit me Kosovën, për të cilën Kopac tha, se tashmë është përcaktuar një ndërmjetës nga qeveria gjermane për të “rakorduar” procesin mes palës kosovare dhe asaj serbe.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.