Problemi i sigurisë në pajisjet teknologjike – Ky ‘smartphone’ bllokon spiunët
Një celular “Katim” i prodhuar nga “DarkMatter”, është prezantuar në Kongresin Botëror të Celularëve. Çfarë e bën të veçantë atë, është se ky ‘smartphone’ është i projektuar për të shmangur spiunimin. Koncepti është zbuluar që në 2017, por më në fund, telefoni do të jetë në duart tona këtë vit.
Celulari ka një ekran prej 5.2 inç dhe ka një nivel të lartë enkriptimi. Tipari i sigurisë i ndërtuar nga firma me qendër në Lindjen e Mesme, quhet “modaliteti i mbrojtjes” dhe shkëput energjinë nga mikrofoni dhe kamera e pajisjes në mënyrë që askush të mos mundë t’i dëgjojë bisedat tuaja.
“Nëse do të hyni në një takim të sigurisë së lartë ose shumë konfidencial, ju gjithmonë do të gjeni njerëz që lënë telefonin e tyre jashtë takimit “, shprehet Fisal Al Bannai, CEO i DarkMatter.
Modaliteti i mbrojtjes në celularin “Katim” aktivizohet duke lëvizur një buton në anë të pajisjes. CEO tregon se kjo e bën atë më të sigurt.
“Ky buton do ta shkëpusë fizikisht energjinë nga mikrofoni dhe kamera, që do të thotë nëse kjo “agjenci spiunazhi” nuk ka një mënyrë për të zhvendosur fizikisht atë buton, nuk ka asnjë mënyrë që mikrofoni të ndizet dhe të dëgjojë atë që po thoni”, tha Al Bannai.
Privatësia dhe spiunimi nga pajisjet teknologjike erdhën në qendër të vëmendjes në vitin 2016, kur CEO i “Facebook”, Mark Zuckerberg, tregoi se vendoste një ngjitëse në kamerën e laptopit të tij.
DarkMatter nuk është ofruesi i vetëm i pajisjeve të fokusuara në siguri. Të martën, firma e sigurisë në internet “Sikur” prezantoi një ‘smartphone’ të dizajnuar për të ruajtur sigurinë e kripto-valutës. Gjithashtu, prodhuesi elektronik kinez “Huawei” zbuloi një laptop të ri të quajtur “MateBook X Pro” që ka një kamerë të fshehur në tastierë.
Al Bannai zbuloi se të ardhurat e vitit 2017 arritën në 400 milionë dollarë, nga 200 milionë dollarë në një vit më parë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.