Procedura e re/31 mijë të pastrehë, ja si përfitojnë shtëpi
Ligji i ri i strehimit do të ndryshojë mënyrën e aplikimit në këtë program për mbi 32 mijë të pastrehë në të gjithë territorin e vendit.
Skema e re për strehimin është miratuar pak kohë më parë dhe të interesuarit do të mund të aplikojnë online për një nga gjashtë programet.
Target grupet që përfitojnë janë familjet në nevojë, komunitetet rome dhe egjiptiane, gratë e dhunuara, jetimët, personat me aftësi të kufizuara, familjet që përjashtohen nga procesi i legalizimeve, familjet një prindërore, familjet që dalin të pastreha nga zbatimi i vendimeve gjyqësore.
Ky ligj prezanton edhe konceptin e “pronarit social”, duke detyruar investitorët të bëhen palë, me apo pa vullnetin e tyre.
Ndër risitë përfshihen aplikimi përmes sistemit elektronik “online”, një numër i dyfishuar programesh sociale dhe një sërë dokumentacioni që duhet plotësuar nga aplikuesit.
Sipas të përditshmes “Panorama”, për herë të parë do të ofrohen edhe grante në masën 10 % të vlerës së shtëpisë, për ato familje që nuk kanë mundësi financiare.
Përparësi në përfitimin nga programi për zhvillimin e zonës me qëllim strehimin kanë familjet/individët e pastrehë të cilët në zonën përkatëse e kanë siguruar strehimin në:
- a) ndërtime të pa legalizuara
- b) zonat e vjetra industriale, jofunksionale të zëna nga individë të pastrehë, pa autorizimet përkatëse për strehim.
Ligji i ri për strehim social u është dërguar për mendim 125 subjekteve, duke përfshirë këtu: ministri, bashki, shoqata dhe organizata të ndryshme aktiviteti i të cilave ndërthuret ngushtësisht me politikat e strehimit dhe të institucioneve që zbatojnë këto politika, si dhe ekspertëve të fushave të ndryshme, shkruan gazata shqiptare.
Për vitin 2017 fondi i alokuar nga buxheti i ministrisë është 140 milionë lekë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.