Procesi mësimor, enda pa udhëzim – MASR: Po zhvillojmë konsultime për të krijuar kushte të sigurta
Pavarësisht se tashmë është vendosur që viti i ri shkollor 2020-2021 do të nisë në datën 14 shtator dhe do të zhvillohet në ambientet e institucioneve arsimore, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë është ende në fazë konsultimesh për format që do të ndiqen për mbarëvajtjen e procesit. Po kështu, edhe udhëzimi final për vitin e ri shkollor që në këtë periudhë duhej të ishte publikuar nuk është finalizuar ende.
Ka qenë vetë Ministria e Arsimit, që përmes një njoftimi për shtyp bëri me dije se zyrtarë të lartë të këtij dikasteri kanë vijuar konsultimet me aktorë të ndryshëm mbi masat e ndërmarra deri më tani me qëllim krijimin e kushteve të sigurta në ambientet e shkollës dhe mbarëvajtjen e procesit mësimor gjatë vitit të ardhshëm shkollor. Sipas ministrisë në takimin e rradhës konsultativ morën pjesë edhe përfaqësues të Këshillit Kombëtar të Arsimit Parauniversitar, Këshillit Kombëtar të Prindërve, sindikatave e arsimit dhe organizatave të ndryshme.
Ndërkohë që, në fokus të takimit ishin masat e ndërmarra deri më tani nga MASR, mënyra e zhvillimit të mësimit, detajimi final i udhëzuesit për vitin e ri shkollor. Ndërkaq, për një postimi në rrejtet sociale, ministrja e Arsimit, Besa Shahini nënvizoi se “qëllimi kryesor për vitin e ri shkollor, është ruajtja e shëndetit të nxënësve, prindërve e mësuesve, gjatë zhvillimit të procesit mësimor në shkollë”. Aktualisht, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka miratuar protokollin e sigurisë që do të ndiqet në shkolla për frenimin e COVID-19, por do të jenë institucionet arsimore ato që duhet të detajojnë planet mbi mënyrat sesi do të zhvillohet mësimi, në kushtet kur në shumë prej klasave nuk mund të garantohet distanca e kërkuar, si dhe mbajtja e duhur e higjienës.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.