Prodhimi vendas – Rritja e çmimeve stabilizohet në 2%
Indeksi i çmimeve të prodhimit u rrit me 2% në tremujorin e fundit të vitit të kaluar. Sipas Instat, rritja ishte në nivel të njëjtë me tremujorin e tretë, ndërsa tendenca e vitit të kaluar për këtë tregues është drejt rritjes.
Që nga fundi i vitit 2016, indeksi i çmimeve të prodhimit është rikthyer në vlera pozitive, çka paralajmëron një rritje të presioneve për inflacion më të lartë të çmimeve të konsumit.
Indeksi i çmimeve të prodhimit mat çmimet me të cilin ato hidhen në treg nga prodhuesit, ndaj jep një orientim për rritjen e çmimeve të konsumit në një të ardhme të afërt.
Nëse prodhuesit rrisin çmimet, me shumë të ngjarë, kjo rritje përcillet edhe në çmimet me të cilët konsumatorët i blejnë mallrat me pakicë. Një rritje e çmimeve të prodhimit është e rëndësishme për performancën e ndërmarrjeve, sepse nënkupton më shumë stimuj për të rritur prodhimin, punësimin dhe pagat në të ardhmen.
Sipas Instat, rritja e çmimeve të prodhimit në vend edhe për tremujorin e katërt u udhëhoq nga industria nxjerrëse, me 7.8%, ndërsa specifikisht për sektorin e nxjerrjes së naftës rritja ishte 11.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Për sa i takon industrisë përpunuese, sektorit që mban edhe më shumë peshë në prodhim, rritja edhe për tremujorin e katërt 2017 ishte e përmbajtur, me 1.6%.
Sidoqoftë, në segmentin që prek më shumë konsumatorët, atë të industrisë ushqimore dhe pijeve, indeksi i çmimeve të prodhimit ngelet negativ, çka nënkupton çmime ende në rënie.
Kjo lidhet në një masë të madhe me çmimet e ulëta të lëndëve të para nga importi, por edhe me një kërkesë të brendshme ende jo plotësisht të konsoliduar.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.