Prodhuesit dhe importuesit, jo më detyrim për regjistrim te Metrologjia! Në Kuvend, amendament për shfuqizimin e neni 38 të ligjit
Prodhuesit dhe importuesit në Shqipëri nuk do të kenë më detyrimin që të regjistrohen pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë, nëse Parlamenti miraton një amendament që shfuqizon nenin 38 të ligjit për metrologjinë.
Amendamenti i propozuar nga Këshilli i Ministrave dhe i depozituar në Kuvend parashikon ndjekjen e një praktike që ndiqet në vendet e Bashkimit Europian. Në këtë kuadër, parashikohet që regjistrimi i importuesve apo prodhuesve të mos jetë detyrim i subjekteve, por të realizohet në treg në bashkëpunim me inspektimin metrologjik ose të realizohet në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave.
Nisma është propozuar nga Ministria e Financave dhe vjen në kuadër të reformës së derregullimit që synon të lehtësojë procedurat për individët dhe bizneset.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.