Prodhuesit: Siguria ushqimore, të mos krijohet panik!
Prodhuesit shqiptare kërkojnë që të mos bëhet panik për çështjen e sigurisë ushqimore në vend. Gjatë konferencës së sotme, mbajtur nga aleanca e prodhuesve shqiptarë, u nënvizua rëndësia e sigurisë ushqimore në tregun vendas. Gjatë fjalës së tij, Sokol Kraja (përfaqësues i prodhuesve), u shpreh se është e nevojshme që organet përkatëse të monitorojnë dhe ndëshkojnë çdo subjekt apo individ që abuzon me produktet ushqimore qoftë të importuara apo për eksport.
Të gjitha llojet e produkteve si ato industriale që janë të domosdoshme të jenë pa konservantë artificialë edhe bulmetet, mishi, perimet dhe frutat duhet medoemos të përmbajnë origjinën e tyre të specifikuar.
Megjithatë prodhuesit bëjnë thirrje mediave si dhe organeve përkatëse të evitojnë denoncime të pabazuara dhe pa prova konkrete abuzimi për të mos krijuar një panik kolektiv.
Ekonomia vendase është e mbështetur në prodhimet bujqësore dhe në prag të sezonit të ri turistik kur pikërisht fillojnë eksportet më të mëdha në vend, duhet bërë kujdes për të mos dëmtuar imazhin e produkteve ‘Made in Albania’.
Produkti vendas është krenari kombëtare që duhet mbështetur, ndaj duhet të denoncohen shkeljet flagrante dhe çdokush që abuzon në treg. Por nga ana tjetër nuk duhet të dëmtohen përfaqësuesit e ndershëm të ekonomisë vendase që prodhojnë me standarde europiane, të cilët janë të gatshëm të krijojnë një aleancë për mbrojtjen e konsumatorit, nga mashtruesit dhe shkelësit e ligjit.
Ekonomia vendase ka nevojë për një konkurrence të ndershme duke intensifikuar kontrollet nëpër biznese dhe tregje, për të pasur një zhvillim të njëjtë me vendet e tjera.
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.