Produkte të pasigurta për konsum – AKU asgjëson mbi 13 ton ushqime dhe vendos 12 masa administrative
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njofton se ka kryer 527 inspektime dhe monitorime në të gjithë vendin gjatë 24 orëve të fundit.
Sipas njoftimit gjatë kontrolleve zyrtare për garantimin e sigurisë ushqimore në operatorë të biznesit janë dhënë 12 masa me paralajmërim përgjithësisht për rinovim të librezave shëndetësore, rinovim të analizave të ujit dhe planit DDD.
Referuar Planit të Marrjes së Mostrave janë marrë 30 mostra në monitorim të produktit qumësht, të produktit bukë për analizim të treguesve fiziko-kimike dhe në analizim të produkteve fruta-perime për mbetje të pesticideve si dhe gjithashtu me kërkesë të vetë subjektit janë asgjësuar një sasi prej 13.86 ton produkte ushqimore.
AKU si pjesë e Task-Forcës bën me dije se po vijon me monitorimet në të gjitha kategoritë e bizneseve për zbatim të protokolleve si dhe ka kryer inspektime dhe monitorime dhe ka këshilluar 562 qytetarë për mbajtjen e maskës në zbatim të protokolleve të sigurisë, ku gjatë monitorimit është konstatuar se subjektet i respektojnë kushtet higjieno-sanitare dhe respektohet përdorimi i dorezave dhe maskave.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.