Produktet shqiptare me një logo – Projekti “Brand Albania”, marketim në tregjet e huaja
Produktet shqiptare do të përfaqësohen me një markë kombëtare në tregjet e huaja, për ti dhënë atyre më shumë vlerë dhe konsumatorëve më shumë siguri. USAID ka prezantuar projektin “Brand Albania” që ka si qëllim të mbështesë agrobiznesin dhe zhvillimin e turizmit në Shqipëri. Partner kryesor për realizimin e tij do të jetë edhe Ministria e Bujqësisë.
“Ky është një projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm për sfidën e produkteve tipike të zonave tradicionale dhe vjen në kohën e duhur. Një prodhim tipik mund të ketë një vlerë shumë të lartë por nëse nuk ka një brand apo markë vlera e tyre është disa fish më e ulët se sa vlera që në të vërtetë meritojnë.
Nëse do jemi të suksesshëm në krijimin e një brandi për prodhimet tradicionale shqiptare, nëse do të jemi të suksesshëm për t’i nxjerrë këto prodhime tradicionale në treg duke u dhënë statusin që u takon për t’i bërë të denja për një treg që imponon standarde të larta siç është Bashkimi Evropian, ne do të jemi në gjendje për t’i ruajtur këto produkte. Këto produkte krahas vlerave të mëdha që kanë në kulinarinë tonë janë edhe një mjet shpëtimi për strukturën ekonomike të fshatit shqiptar dhe hapësirës rurale në vendin tonë.
Ky projekt do t’i ndihmojë agro prodhuesit të gjejnë kanalet e duhura për t’i marrë vlerën maksimale prodhimeve tipike. Ne do të jemi në mbështetje të fortë të këtij projekti, i cili me patjetër do të jetë i suksesshëm dhe do të shndërrohet në një logo që do t’i qëndrojë kohës”, tha Peleshi.
Ministri i Turizmit, Blendi Klosi, theksoi se ky projekt ndihmon edhe në diversifikimin e ofertës turistike në vend.
“Përpjekja e sotme, padyshim, nxit dhe promovon këtë përpjekje të përbashkët që të gjitha institucionet e këtij vendi kanë pranuar që Shqipëria duhet të jetë një destinacion turistik i diversifikuar që nuk afrohet vetëm për 60 ditët e sezonit të turizmit por është një turizëm permanent.
Kjo iniciativë e sotme shkon si një certifikim nëpërmjet dhomës së zejeve dhe prodhuesve lokalë për të prodhuar brandin shqiptar. Sa do të kemi ne të mundur që veprimet tona të shkojnë në përputhje me atë çfarë zejtarët prodhojnë kjo do të jetë një përpjekje e vështirë për të cilën ne duhet të bashkëpunojmë të gjithë”, u shpreh Klosi.
Ndër të tjera projekti parashikon edhe rritjen e ndërgjegjësimit për nevojshmërinë e certifikimeve ndërkombëtare dhe plotësimit të standardeve, si dhe rritjen e cilësisë së produkteve dhe mundësisë për eksport.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.