“Profecitë” e “S&P” për Shqipërinë – Marrëveshje me FMN, reforma pro biznesit, jo në BE para 2025
Veç notës për borxhin sovran dhe faktorëve që mund të çojnë në rritje të vlerësimit apo zhvlerësim në të ardhmen, S&P bën edhe një profil të detajuar të ekonomisë shqiptare dhe një sërë projeksionesh.
Vijimi i reformave të qeverisë, rritja e vazhdueshme ekonomike me hapa të shpejtë si dhe zëvendësimi i investimeve të huaja nga kërkesa e brendshme si motori i rritjes ekonomike janë tre pikat që S&P evidenton.
Për vitin aktual, S&P vlerëson një rritje ekonomike në 3.6%, që do të përshpejtohet ne 3.9% vitin e ardhshëm dhe 4% në dy vitet e tjera. Në krahasim me raportin e kaluar, atë të muajit Gusht, kemi të bëjmë me një rishikim të lehtë në rënie të rritjes ekonomike për këtë vit, nga 3.7%, në 3.6%.
Për vitet e ardhshme, shifrat janë të njëjta. Ne presim që ekonomia shqiptare të rritet mesatarisht me një normë prej 3.9% në terma realë mes viteve 2018-2021. Në terma afat-shkurtër do ketë një rënie të investimeve të huaja madhore, ndërkohë që në terma afat-gjatë reformat e qeverisë do të jenë pro biznesit, duke ndihmuar vendin të tërheqë investime të huaja.
Kjo gjë do të bëjë që Shqipëria të zhbllokojë potencialin ekonomik në energji, turizëm dhe agro-bujqësi. Në tërësi, Shqipëria ka një ekonomi të konsiderueshme hije, pra informale, me korrupsionin që dominon dhe mungesën e sundimit të ligjit, thuhet më tej.
“Ne presim që qeveria e rizgjedhur e Shqipërisë të vazhdojë me reformat strukturore”. Agjencia e vlerësimit të kreditit pret gjithashtu që Shqipëria dhe FMN të lidhin një marrëveshje të re këtë vit. Sa i përket integrimit europian të Shqipërisë, agjencia pret që kjo mos të ndodhë brenda gjysmës së parë të dekadës së ardhshme, pra brenda 2025.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.