Profesioni i mësuesit – Ulet kërkesa, paga prej 45 mijë lekësh nuk i josh të rinjtë
Profesioni i mësuesit, sipas të dhënave nga libri i transparencës, duket së është më pak i kërkuari gjatë viteve të fundit. Për shkak të pagës së ulët prej 45 mijë lekësh, shumë të rinj nuk e radhisin këtë profesion në preferencat e tyre duke bërë që numri i të diplomuarve në këtë degë, por edhe cilësia të këtë një rënie të ndjeshme.
Aktualisht, në sistem janë 35 mijë mësues, një pjesë e mirë e tyre po i nënshtrohen trajnimeve falas të ofruara nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve.
Pavarësisht përpjekjeve të qeverisë për të ofruar lehtësira financiare për maturantët me mesatare mbi 9 që zgjedhin këtë profesion, apo rritje të pagës së mësuesit me 5 % dhe premtime për rritje deri në 40% duket se nuk i ka joshur të rinjtë.
Por kjo nuk është e vetmja problematike në sistem. Nevoja për ndryshime ka krijuar edhe problematika të tjera si pasojë e reformave, të cilat kanë prekur legjislacionin, kurrikulat infrastrukturën etj.
Nëse synimi dhe arritja kryesore e kurrikulës së re dhe reformës ka qenë ndryshimi i konceptimit në arsim, pra vënia në qendër e nxënësit, kjo jo nga të gjithë mësuesit është kuptuar, ose është kuptuar në mënyrë sipërfaqësore.
Problematika më shqetësuese, sa herë që fillon viti shkollor ka të bëj me tekstet. Mungesa e tyre, shitja në mënyrë të paligjshme, cilësia e dobët, sasia e pamjaftueshme dhe mbi të gjitha përmbajtja e tyre dhe ngarkesa e madhe me mangësi në aparatin pedagogjik, u kthyen në një problem tjetër që shoqëroi shkollën gjatë këtyre viteve.
Megjithatë nga ana e Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sporteve nuk mungojnë nismat për të zbutur efektet negative të ndryshimeve, një ndër nismat më të debatuara edhe kohët e fundit ka qenë edhe “3 lëndë në 6 orë” apo “të bëjmë detyrat në shkollë”.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.