Profil / Angela Merkel dhe lidhja e saj me shkencën, çelësi i suksesit të Gjermanisë në betejën kundër Covid-19
Sot, ne përballemi me shpërthimin global të një sëmundjeje që ka potencialin të kanalizojë atë që historiania Eva Schlotheuber e cilëson një “pandemi të mendjes”. Ndërsa dezinformatat përhapen dhe linjat midis fakteve dhe trillimeve kryqëzohen në mënyrë rutinore, udhëheqësit botërorë, tani më shumë se kurrë, duhet të ndriçojnë një rrugë të mirëmenduar përpara, e cila mbështetet në shkencë dhe arsyetim të bazuar në prova. Një udhëheqëse përfaqëson modelin më të saktë të liderit që duhet në përballimin e krizave. E besuar nga njerëzit e saj për të udhëhequr në ujërat e errëta të kësaj pandemie, një politikane është rikthyer në shkencëtare: Angela Merkel.
Tani për javë të tëra, udhëheqësja e Gjermanisë ka bashkuar racionalitetin e saj karakteristik, shoqëruar me një sentimentalizëm jo karakteristik, për të udhëhequr vendin përmes asaj që deri tani ka qenë një betejë relativisht e suksesshme kundër COVID-19. Pandemia është duke dëshmuar se është sfida kurorëzuese për kancelaren, stili i udhëheqjes së të cilës vazhdimisht është përshkruar si analitik, jo demagogjik dhe i kujdesshëm. Në përpjekjen e saj për stabilitetin social dhe ekonomik gjatë kësaj shpërthimi, Merkel gëzon disa avantazhe: një sistem i mirë-respektuar, i koordinuar i ekspertizës shkencore dhe mjekësore, i shpërndarë në të gjithë Gjermaninë; besimi i fituar nga publiku; dhe fakti i pamohueshëm se udhëheqja e qëndrueshme dhe e arsyeshme është papritur përsëri në modë.
Kur ra Muri i Berlinit në 1989, Merkel, e cila deri atëherë kishte fituar një doktoratë në kiminë kuantike, po punonte si shkencëtare kërkimi. Menjëherë pas kësaj, ajo la punën e saj për t’u bashkuar me një grup të ri politik që ishte formuar në lagjen e saj, duke nisur kështu qetësisht karrierën e saj politike. Ajo u ngrit në politikën gjermane dhe, përmes inteligjencës së pastër dhe një seri manovrimesh taktike, u ngjit në 2005 në Kancelari si kreu i qeverisë federale të Gjermanisë. Trajektorja e saj ishte dramatike dhe e pazakontë – për një grua, për një germano- lindore dhe për një shkencëtare pa përvojë në ligj ose shërbim civil.
Merkel nuk ka folur kurrë publikisht pse e la shkencën, kjo mbase sepse ajo kurrë nuk e la atë. Mendimi shkencor – kërkimi i saj i qëllimshëm i çdo informacioni të ri, konsultimi i kujdesshëm me ekspertët – mbeten integrale për procesin e vendimmarrjes ditore të Merkel dhe personalitetin e saj politik.
Kur u pyet se pse vendosi të studiojë fizikën si një grua e re, Merkel tha se fizika e kishte ndihmuar të mbante një mendje të pavarur në një sistem shumë ideologjik: “Matematika themelore dhe ligjet e natyrës nuk mund të pezullohen as në Gjermaninë Lindore. Dy dhe dy janë katër, madje edhe nën udhëheqësin e Gjermanisë Lindore Erich Honecker.”
Merkel, për të cilën, si ish gjermano-lindore, liria dihet se është parësore, e kuptoi edhe personalisht se çfarë nënkupton karantinimi për bashkëqytetarët e saj. Më 18 mars, pasi vendi kishte mbyllur shkollat, ekonominë, mënyrën e jetesës, ajo mbajti një fjalim të rrallë në televizion që solidarizoi udhëheqjen e saj.
Përballë kamerës, pas një tavoline, me flamurin gjerman dhe atë të Bashkimit Evropian në anën e saj, ajo filloi në një shënim emocionues, duke pranuar se “ideja jonë për normalitetin, për jetën publike, bashkësinë shoqërore – e gjithë kjo do vihet në provë si asnjëherë më parë ”. Ajo theksoi rëndësinë e demokracisë dhe marrjen e vendimeve politike transparente dhe ajo këmbënguli që çdo informacion që ndante në lidhje me pandeminë do të bazohej në kërkime të hollësishme. Pastaj, në një deklaratë mahnitëse për një udhëheqës gjerman, ajo iu referua orës më të errët të vendit të saj. “Që nga Lufta e Dytë Botërore,” tha Merkel, “nuk ka pasur një sfidë për vendin tonë në të cilin veprimi në një frymë solidariteti të jetë kaq i rëndësishëm.”
Duke pasur parasysh si po shkon kriza koronaviurs në Gjermani, çdo sukses, të paktën në një farë mase i atribuohet udhëheqjes së Merkel. Kancelaria ka një mënyrë të veçantë për të sjellë interesa divergjente së bashku në kompromis. Aftësia e saj për të pranuar atë që ajo nuk e di dhe për të deleguar vendime, ka qenë një përshtatje veçanërisht e mirë për strukturën politike të federalizuar të Gjermanisë.
E pyetur nga një gazetar a kishte diçka që politikanët mund të mësonin nga shkencëtarët, Merkel u përgjigj: “Graviteti. Pa masë, por gjithsesi i pranishëm.”
Dosti Banushi – SCAN
Burimi: The Atlantic / FR24news
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.