Programet ekonomike, ku ndahen dhe ku bashkohen palët për taksat, borxhin e investimet?
Kur mbeten edhe më pak se 5 muaj nga zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 18 qershorit, forcat kryesore politike në vend kanë zbuluar në vija të përgjithshme pikat kryesore të programeve të tyre ekonomike.
Por cilat janë ndryshimet dhe të përbashkëtat në këto programe dhe si priten të implementohen ato në qeverisjen e ardhshme?
Partia Socialiste që është edhe forca kryesore që qeveris aktualisht vendin, duket se i qëndron politikave fiskale që ka aplikuar gjatë këtyre viteve. Tatimi mbi të ardhurat personale të individëve parashikon një skemë të normave progresive, duke rritur ngarkesën fiskale për pagat më të larta dhe duke e ulur për pjesën tjetër.
Nga ana tjetër Partia Demokratike propozon një reformë të thellë në sistemin fiskal duke rikthyer taksën e sheshtë.
Të djathtët parashikojnë aplikimin e taksës së sheshtë prej 9 për qind për të ardhurat personale, 9 për qind për fitimin e kompanive, si dhe uljen e TVSH-së në 15 për qind. Një pikë e përbashkët duket se është premtimi për uljen e borxhit publik dhe për mbajtën plotësisht nën kontroll të deficitit.
Diskutimet për projektet ekonomike vijnë në kohën kur qeveria ka miratuar kuadrin makrofiskal të periudhës 2018-2020, mbi të cilin Ministritë do të bazohen në hartimin e buxheteve.
Bazuar mbi parashikimet e treguesve kryesorë makroekonomikë, reformave fiskale të ndërmarra, efekteve të pritshme të përmirësimit administrativ, si dhe të faktorëve të tjerë përcaktues në ecurinë e zërave të ndryshëm të të ardhurave të buxhetit të shtetit, të ardhurat totale të buxhetit për tri vitet në vijim (2018–2020) parashikohet të rriten mesatarisht me rreth 6.85 për qind në çdo vit.
Një tjetër projekt i lançuar nga qeveria është edhe program i ri kombëtar “1 miliardë euro për rindërtimin”, që pritet të zbatohet për tri vitet e ardhshme. Programi pritet të mundësojë investimin e mbi 1 miliard eurove në infrastrukturë, arsim, shëndetësi dhe turizëm.
Përmes partneritetit publik-privat qeveria parashikon rritje ekonomike në të ardhmen më shumë se pesë për qind dhe rritje të punësimit.
Programi përfshin rindërtimin e afro 150 shkolla në gjithë Shqipërinë, përfshirë dhe 6 shkolla ekselence të reja për arsimin profesional.
Në sektorin e shëndetësisë përfshihet ndërtimi një spitali rajonal në Fier dhe 10 qendra shëndetësore ekselence në gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
Ndërkaq, Rruga e Arbrit thuhet se është një nga projektet kryesore që pritet të realizohen në 3 vitet e ardhshme dhe për të cilat kanë nisur procedurat.
Por ky segment rrugor nuk mbetet pas as në programin e Partisë Demokratike. Ndryshe nga të majtët që me anë të projektit të Rilindjes Urbane po vijojnë të kryejnë investime në bashkitë e vendit, të djathtët thonë se prioritet do të jetë përfundimi i veprave të mëdha, siç është Korridori 8, rruga Tiranë-Elbasan, Rruga e Arbrit, përfundimi i akseve të jugut, Unaza e Madhe e Tiranës, si dhe investime për sistemin e ujitjes dhe rrugëve që ndihmojnë aksesin në bujqësi.
Ndërkaq, për sa i përket LSI-së, drejtues të kësaj force politike kanë thënë së fundmi se janë duke punuar për një program ekonomik dhe social që pritet të rrisë punësimin në vend.
Deri më tani, vetëm Partia Demokratike ka shpallur publikisht platformën e saj të detajuar. Ndërkohë, sa i përket Partisë Socialiste si forca kryesore e mazhorancës, pritet që në muajt të vijim të ketë një platformë të plotë e të detajuar të parashikimeve për 4-vjeçarin e ardhshëm e jo vetëm detajet e deritanishme që janë bërë publike e që reflektojnë vijimin e platformës që është vënë në zbatim në këto 4 vite.
Florenc Drizari/RTV SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.