Programet ekonomike të partive – Buxhuku: Janë të paplota, fokusohen te sistemi fiskal
Fillimi i fushatës elektorale nuk po “ndihet” vetëm nga simpatizantët e forcave politike apo administrata, por edhe nga biznesi. Ndërkohë të gjitha partitë premtojnë klimë të favorshme për sipërmarrjen, kjo e fundit nuk është njohur me programet ekonomike të tyre. Administratori i Përgjithshëm i Konfindustria, Gjergj Buxhuku, në një intervistë për TV SCAN, u shpreh se janë njohur me pjesë të ndryshme nismash nga forcat politike, por jo me programe të plota ekonomike.
“Njohja ka qenë pjesore. Ka qenë ajo çka ne dëgjojmë në fushatën zgjedhore. Elementi i parë është fakti se nuk pranohet që kemi një model ekonomik të dështuar. Dhe maksimumi shkohet në atë që mundet që me disa ndërhyrje të pjesshme mundet të shërohet”.
Ndërsa lidhur me pyetjen se a ka patur presion nga administrate fiskale mbi biznesin, Buxhuku tha:
“Jo, nuk ka patur ndonjë diçka të ndryshme nga ajo që na është thënë më përpara. Nuk ka ndonjë ndryshim thelbësor, që të jetë për t’u shqetësuar më shumë se sa ç’ka qenë problematika e mëparshme”.
Komuniteti i biznesit në çdo komunikim ka kërkuar të jetë më shumë i pranishëm në diskutimet e nismave të ndryshme ligjore, por edhe në vendimmarrjet me të cilat është e lidhur “jeta” ekonomike e tyre.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.