Programi ekonomik i PD, Basha: “Kemi një plan konkret që ul taksat dhe prodhon mirëqënie”
Kreu i PD-së Lulzim Basha deklaroi se plani i PD për ekonominë është një plan pune konkret që do të rrisë mirëqenien për shqiptarët. Ai tha se Rama e di dhe vetë se më 25 prill është i ikur.
“Nuk ka premtime PD, nuk ka premtime Lulzim Basha, ka një plan pune konkret. Kemi dy vite që i studiojmë me ekspertët tanë më të mirë dhe ekspertët perëndimorë. Është një plan konkret pune që do ulë taksat, do rrisë mirëqenien. Do të ulë koston e jetës për shqiptarët. Këto janë prioritetet e jetës së shqiptarëve jo gërr-vërr-et e një njeriu që e di dhe vetë se më 25 prill është i ikur. Me këtë plan fiton Shqipëria, fitojnë shqiptarët. Më 25 prill ky plan do të vihet në punë dhe do të prodhojë mirëqenie për shqiptarët”, deklaroi Basha.
Eksperti i PD për ekonominë Dorian Teliti tha sot se ulja e taksave është një instrument për ta kthyer ekonominë në shinat e zhvillimit. Teksa u ndal tek një nga pikat e programit të PD për taksën e sheshtë tha se ruan fashën e pataksuar 300 mijë lekë.
“Ky është një instrument për të ndihmuar ekonominë shqiptare për t’u kthyer në shinat e zhvillimit. Për sa i përket sistemit të taksimit, që të jetë e prekshme për qytetarët dhe të marrin fund shpifjet. Ne angazhohemi të heqim taksën progresive mbi pagat. Vendosim taksën 9% e sheshtë për pagat duke ruajtur fashën e pataksuar 300 mijë lekë. Shtresa e mesme, e fituar nga taksa e sheshtë. Kursimet që krijon taksa e sheshtë mbeten ne xhepat e qytetarëve.
Totali i taksave lokale e qendrore mbi biznesin e vogël, jo më shumë se 0.5% tatim mbi xhiron. Të gjitha bizneset fitojnë një ulje të sigurimeve shoqërore nga 24.5% në 18%”, deklaroi Teliti.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.