Programi ekonomik i PD, ekspertët gjermanë: Ja pse niveli i taksimit 9% funksionon
Programi ekonomik i Partisë Demokratike është vënë në qendër të vëmendjes së fundmi kjo edhe për shkak të konsultimeve që kjo parti ka nisur me sipërmarrjen.
Në bashkëpunim edhe me ekspertët gjermanë të partisë së kancelares Merkel CDU por edhe të fondacionit Konrad Adenauer janë dhënë edhe arsyet pse ky program i ka të gjitha mundësitë për të dhënë impakt pozitiv në ekonomi.
Lidhur me nivelin e taksimit 9% ekspertët argumentojnë se kjo është një zgjidhje e zgjuar që më shumë sesa tek niveli synon tek thjeshtimi i sistemit. Partia Demokratike ka propozuar nivel 9%për taksën mbi të ardhurat personale, 9% për taksën korporative 9% kontribute shoqërore nga punëmarrësi dhe 9 % nga punëdhënësi.
Sipas tyre ky model është aplikuar në disa vende dhe i ofron mundësinë biznesit që të kuptojë drejt sistemin duke mos e ngatërruar atë me një lumë shifrash e vlerash që e konfuzojnë.
Mbi të gjitha niveli 9 % është kompetitiv jo vetëm për zgjerimin e biznesit vendas por edhe për tërheqjen e investitorëve të huaj. Kjo në kushtet kur rajoni ka një sistem taksimi konkurrues.
Së dyti ekspertët gjermanë vlerësuan se programi ekonomik i Partisë Demokratike mbetet i përshtatshëm për një vend që synon të jetë pjesë e familjes europiane.
Nëse krahasojmë vende të ndryshme të Bashkimit Europian niveli i taksave orientohet drejt lehtësimit të biznesit duke mos u kthyer kështu në barrierë, kjo do të thotë që një biznes shqiptar mund të konkurrojë lehtësisht në një treg më të madh nesër.
Nertila Maho/RTV SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.