Progres i lehtë me deeuorizimin – BSH: Përmirësohen treguesit kryesorë gjatë 2020-ës, masat kanë dhënë efekt
Treguesit kryesor të procesit të deeuorizimit të ekonomisë shqiptare gjatë gjysmës së dytë të vitit të kaluar, sinjalizojnë një përmirësim të situatës në këtë dejtim. “Gjatë gjysmës së dytë të vitit 2020, pjesa më e madhe e treguesve që lidhen me veprimtarinë bankare, kanë njohur përmirësim krahasuar me fundin e gjashtëmujorit të kaluar, duke sinjalizuar një përdorim më të ulët të valutës”, thotë Banka e Shqipërisë.
Depozitat dhe kredia në valutë mbi totalin kanë regjitruar një tkurrje të lehtë gjatë periudhës në fjalë, tregojnë shifrat. “Nëse vlerësohet vetëm ecuria e treguesve të sektorit bankar, duket sikur efekti i masave të zbatuara nga Banka e Shqipërisë është ndjerë gjatë vitit 2020”-shton banka. “Nga ana tjetër, ky vit përmban zhvillime të veçanta e të forta mbi ekonominë dhe sjelljen e familjeve e te bizneseve, të lidhura me situatën e pandemisë dhe veprimet për përballimin e saj, të cilat nuk lejojnë të arrihet në një konkluzion të qartë mbi prirjen e treguesve dhe efektivitetin e masave”-thuhet në raportin mbi ecurinë e deeuroizimit.
Në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, pasha e depozitave në valutë ndaj totalit, zbriti në 50.9%, çka përbën edhe nivelin më të ulët që prej tremujorit të parë të vitit 2019. Sa i përket huasë në valutë ndaj totalit ndërkohë, edhe ajo regjistrion rënie të ndjeshme gjatë gjysmës së dytë të vitit të kaluar, duke zbritur në 50.4%. Pavarësisht rënies, të dy këta tregues vijojnë të mbeten mbi 50%, çka tregon se përdorimi i valutës në ekonominë shqiptare vijon të jetë mjaft i përhapur.
Në prill të vitit 2017, Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë nënshkruan memorandumin e bashkëpunimit, ku institucioni u angazhua me një paketë masash për të “luftuar” euroizimin e lartë të ekonomisë shqiptare, me qëllimin për ta ulur këtë peshë, por jo për ta zeruar, duke pasur parasysh edhe hapjen e ekonomisë shqiptare me vendet e tjera të botës, kryesisht me Bashkimin Europian.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.