Progres i lehtë me deeuorizimin – Raporti i BSH: Përmirësohen treguesit kryesorë gjatë gjysmës së parë të vitit 2021
Banka e Shqipërisë ka publikuar së fundmi raportin mbi ecurinë e treguesve që monitoron ky institucion në kuadër të procesit të deeuroizimit për gjysmën e parë të vitit 2021. Raporti vëren se gjatë kësaj periudhe ka vijuar zhvendosja graduale e treguesve drejt niveleve më të ulëta të rrezikut, kryesisht të krahut të aktiveve të sektorit bankar.
Në terma vjetorë, kjo zhvendosje është më e dukshme edhe pse situata e krijuar nga pandemia ka vështirësuar vlerësimin e madhësisë së ndikimit. Treguesi kredive në valutë ndaj totalit të kredive ka rënë nën 50% për herë të parë duke shënuar nivelin minimal të viteve të fundit. Përmirësim kanë shënuar edhe kreditë e ekspozuar ndaj kursit të këmbimit të cilat i janë kthyer niveleve minimale të shënuar përpara pandemisë.
Nga ana tjetër, pesha e depozitave në valutë ka shfaqur pak lëvizje, duke u luhatur rreth nivelit 51%. “Duke konsideruar zhvillimet e përgjithshme ekonomike dhe financiare, veçanërisht në kushtet e pandemisë, mund të jetë koha që autoritetet të intensifikojnë përpjekjet për identifikimin e masave shtesë për rritjen e përdorimit të monedhës vendase në ekonominë reale dhe në sistemin financiar”, nënvizon Banka Qendrore në raport.
Depozitat në valutë ndaj totalit të depozitave të klientëve shënuan nivelin 50.9%, njësoj si në fund të vitit 2020 dhe 1 pikë përqindjeje më poshtë se një vit më parë. Ndërsa, depozitat mbi një vit në monedhën vendase kanë ruajtur nivelin 14.2%; Aktivet likuide në valutë ndaj pasiveve afatshkurtra në valutë për sistemin, shënuan nivelin 31.6%, me një rënie prej 1.2 pp krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, rreth 49.9% e portofolit të kredive është në valutë, ose 2.8 pikë përqindje më pak se një vit më parë. Kreditë e pambuluara ndaj rrezikut të kursit të këmbimit përbëjnë 41.3% të kredive në valutë, pothuaj në të njëjtin nivel me një vit më parë.
Në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit me Ministrinë e Financave dhe të Ekonomisë, si dhe me Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, nënshkruar në datën 18 prill 2017, Banka e Shqipërisë ndërmori një paketë masash konkrete për të stimuluar përdorimin e monedhës vendase. Paketa e masave, e cila u miratua me vendim të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë në shkurt 2018, përbëhet nga tre elemente kryesore: i) diferencimi i rezervës së detyrueshme për detyrimet në valutë; ii) kërkesa më të larta për treguesit e likuiditetit në valutë; dhe iii) ndërgjegjësimi i huamarrësve për rrezikun që paraqet kredia në valutë.
Ola Mitre/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.