Progresiviteti i të ardhurave personale – Ahmetaj: I suksesshëm. Tabaku: Rrit evazionin
Modeli progresiv i tatimit mbi të ardhurat personale i aplikuar nga qeveria gjatë viteve të fundit është shoqëruar gjithnjë me debate. Ndërkohë që “ideja e qeverisë” për ta zgjeruar gamën e këtij tatim shihet në mënyra të ndryshme.
Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, u shpreh në një prononcim për TV SCAN, se kjo mënyrë taksimi është shumë e ndershme dhe përfitojnë shumica e shqiptarëve. Niveli i lartë i këtij taksimi kap një numër të vogël pagash.
“Sistemi progresiv ka funksionuar në mënyrë të shkëlqyer dhe ka liruar nga ngarkesa fiskale 97 për qind të të punësuarve në Republikën e Shqipërisë. 23 përqindëshi që ta dini, paguajnë vetëm 1500 veta në Republikën e Shqipërisë. Ta dinë qytetarët. Pra, të nderuar qytetarë 23 për qind paguajnë 1500 të punësuar që marrin një pagë mbi 4 milionë lekë të vjetra.”
Por kundër këtij perceptimi është deputete e PD, Jorida Tabaku, sipas së cilës, qeveria po varfëron shtresën e mesme, si dhe do të rrisë evazionin në mbledhjen e kësaj takes.
“Qeveria është duke shpikur mënyra të reja se si të rrisë të ardhurat nga rritja e taksave. Duke qenë se ka ezauruar të gjitha mundësitë për rritje taksash, duke qenë që kemi nivelin më të lartë të tatimit mbi të ardhurat personale, të tatimit mbi fitimin në rajon, është duke konceptuar mënyra të reja se si mundet që të taksojë sa më shumë qytetarët. Kjo nuk është gjë e re, sepse është një politikë që ka ndodhur gjatë këtyre katër viteve, por kjo do të vazhdojë do të penalizojë akoma dhe më shumë shtresën e mesme, e cila për momentin është shtresa që paguan taksat më të larta në rajon. Tatimi nga të ardhurat personale është një taksë që ka pasur nën performim të paktën gjatë 4 viteve të fundit dhe ka treguar që rritja e vazhdueshme e taksave nuk prodhon rritje të të ardhurave. Rritja e vazhdueshme e taksave ka prodhuar dhe ka nxitur evazionin.”
Gjatë diskutimit në Kuvend të buxhetit dhe paketës fiskale të vitit të ardhshëm, Ministri i Financave Arben Ahmetaj bëri publike idenë e tatimit progresiv të integruar të të ardhurave. Kjo nënkupton se të gjitha të ardhurat e individit (paga + të ardhurat nga dividenti +të ardhurat nga qiratë si dhe çdo e ardhur tjetër) të tatohen në total në përqindjen e përcaktuar në shkallën e tatimit progresiv.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.