Progresraporti/Diversifikim urgjent prodhimit të energjisë, hiqni pengesat ligjore për liberalizimin e tregut
Nevojiten përpjekje urgjente për të rritur përdorimin e burimeve të energjisë së rinovueshme, përveç hidrocentraleve”. Ky është një prej rekomandimeve kryesore në progres raportin e publikuar nga Komisioni Europian në kapitullin 15, ku përfshihen çështjet e energjisë.
Sipas dokumentit “Shqipëria varet pothuajse ekskluzivisht nga hidrocentralet për gjenerimin e energjisë elektrike (98% e prodhimit të energjisë elektrike vjen nga hidrocentralet), duke e bërë atë të prekshme ndaj kushteve të pafavorshme hidrologjike gjatë verës”.
“Përveç kësaj, energjia elektrike nga hidrocentralet nuk është e mjaftueshme për të përmbushur nevojat e saj. Shqipëria është një importues neto i energjisë elektrike. Disa investime në energjinë e rinovueshme (lokale dhe të huaja) janë bërë përmes kontratave të koncesionit për të ndërtuar dhe operuar hidrocentralet”,-shton më tej Komisioni Europian, duke theksuar se gjithsesi rreth 20% e kontratave koncesionare janë të vendosura në zonat e mbrojtura, të cilat kanë patur dhe do të kenë një ndikim të rëndësishëm në biodiversitet.
Raporti flet edhe për humbjen e energjisë në rrjetin e shpërndarjes, duke vënë në dukje se megjithëse ato ishin më të ulëta në raport me vitin 2017, gjithesi mbeten të larta, në nivelin e 24.4%.
Nisur nga kjo situatë, Komisioni vlerëson se për 2019-ën, Shqipëria duhet në veçanti të realizojë, diversifikimin e prodhimit të energjisë elektrike;të shfuqizohen pengesat ligjore për të drejtën e konsumatorëve për të ndryshuar furnizuesin e energjisë elektrike, të harmonizojë plotësisht Ligjin për Efiçiencën e Energjisë me ‘acquis’, të krijojë një fond të eficencës së energjisë si dhe të hartojë dhe miratojë legjislacionin dytësor për zbatimin e Direktivës së Performancës së Energjisë së Ndërtesave.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.