Projeksionet e UBS për valutat – Pritet performancë e dobët e dollarit në raport me euron në 2018
Valuta amerikane pritet të ketë performancë të dobët në vitin 2018 kundër euros, pavarësisht ciklit tkurrës monetar nga Rezerva Federale, tregojnë ekspertët e bankës zvicerane UBS.
Rritja e normës bazë të interesit ka sjellë zakonisht nxitje për dollarin, pasi më shumë njerëz tërhiqen ndaj aseteve të Shteteve të Bashkuara me pritshmëritë e kthimeve më të lara.
Megjithatë, banka zvicerane e investimeve argumenton se euro do të tejkalojë çdo zhvillim të dollarit vitin që vjen. Deri më tani për këtë vit, valuta europiane ka shtuar thuajse 11.5% të vlerës kundër dollarit.
“Ajo që ka rëndësi për dollarin nuk është koha e lëvizjes së radhës nga Rezerva Federale por sa gjatë do ta mbajë ciklin tkurrës. Duke limituar efektet te valuta, tregjet financiar kanë rritur tashmë pritshmëritë për ndërhyrjet e bankës, duke mos u surprizuar nga rritja e normës së interesit”, deklaron UBS.
Analistët e bankës, bënë të ditur në raportin e perspektivës globale të këmbimit valutor 2018, se euro qëndron e zhvlerësuar dhe rritja ekonomike do t’i japë nxitje vlerësimit.
Euro është rritur kundër dollarit këtë vit prej të dhënave të përmirësuara mbi ekonominë si dhe prej nisjes së Bankës Qendrore Europiane të përfundimit të stimujve monetar.
UBS pret që dollari të performojë mirë kundër dollarit kanadez dhe jenit japonez në 2018-ën. Sipas bankës, super-mazhoranca e Shinzo Abe në parlament do të rrisë shanset që Banka e Japonisë të mbajë qasjen lehtësuese në politika.
UBS pret një performancë të mirë për valutat e ndjeshme ndaj rrezikut, si dollarin Australian, koronën Suedeze dhe të Norvegjisë, prej rritjes së qëndrueshme ekonomike.
Mbi paundin britanik, banka ka një perspektivë pesimiste, prej përkeqësimit të ekonomisë dhe pasigurive të negociatave për Brexit.
KLevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.