Projeksionet për ekonominë shqiptare – Ku ndahen BB, FMN, Berzh dhe qeveria Rama?
Fmn është e fundit ndër institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare që ka publikuar projeksionet për ecurinë e ekonomisë shqiptare gjatë dhe pas krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia. Krahasuar me Bankës Botërore dhe Berzh, Fondi Monetar Ndërkombëtar duket të jetë më optimisti sa i përket të ardhmes së ekonomisë sonë.
Institucioni parashikon një normë rritje të ekonomisë shqiptare pranë -7.5% këtë vit, ndërkohë që Banka Botërore e parashikon në -8.4%, ndërsa Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) i mbetet besnik projeksionit të pranverës, dhe flet për një kolaps të ekonomisë sonë me 9% gjatë vitit aktual.
Edhe për vitin e ardhshëm të tre institucionet ndahen në projeksione. FMN flet për 6.1% rritje, Banka Botërore projekton një zgjerim në 5%, pra ndjeshëm më të vogël, ndërkohë që Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim flet për vetëm 4.5% rritje ekonomike. Kujtojmë se qeveria shqiptare projekton një rritje ekonomike vitin e ardhshëm pranë 6%, të paktën sipas deklaratave të vetë kryeministrit Rama.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.