Projekt për heqjen e radhëve në doganën e Kakavies! Tenderi 31.3 milionë lekë: Zgjerohen korsitë për autobuzët, shtohen pikat e kontrollit
Pika doganore e Kakavies do t’i nënshtrohet rikostruksionit. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka shpallur tenderin 31.3 milionë lekë që synon realizimi i disa strukturave të pavaruara nga njëra tjetra por të ndërlidhura si nga ana arkitektonike dhe strukturore me strukturat ekzistuese.
Referuar dokumenteve të tenderit, korpusi i doganës së Kakavies përbëhet nga një ndertesë dy katëshe me dy orientime kryesore të kateve perdhe.
Projekti parashikon që bashkëngjitur me objektet ekzistuese të realizohet një strukturë shtesë, konkretisht në pjesen veriore dhe jugore.
Gjithashtu kërkohet realizimi i disa mbulesave në zonat ku pritet të qendrojnë autobuzët e udhëtarëve, në ndalesë dhe në dalje, raporton SCAN.
Projekti propozon krijimin e hapësirave të reja për stacionimin e autobuzëve në pikat hyrëse dhe dalëse të godinave ku do të kryhet procesi i verifikimit të udhëtarëve. Këto vendqendrime parashikohen të shoqërohen dhe me mbulesa që lidhen me objektet e reja, ku do të kryhet kontrolli.
Objektet e tjera që do riformulohen në zonë janë edhe kabinat e kontrollit kufitar, që parashikohen të zhvendosen, për të zgjeruar korsinë e kalimit të automjeteve, e cila nuk permbush parametrat minimale për kalimin e autobuzëve.
Shqiperia ka 31 Pika të kalimit kufitar në kufirin e gjelbër, 7 në kufirin blu dhe 1 në kufirin ajror.
Pika e Kontrollit Kufitar Kakavie në Gjirokastër është ndërtuar në vitin 1986. Gjatë vitit 2019, është kryer rikonstruksioni i fasadave, dyerve, dritareve dhe ambienteve të brendëshme sanitare.
Aktualisht, Pika e Kalimit Kufitar Kakavie nuk i plotëson standardet e Shengen-it dhe as praktikat më të mira evropiane në këtë fushë. Rritja e vëllimit të numrit të qytetarëve dhe automjeteve në këtë pikë ka sjellë nevojën për zgjerimin e vijës së kontrollit dhe hapësirave për kontrollin e udhëtarëve.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.