Projekt i ri në Ballkan – Platformë investimesh online, do prezantohet në shkurt me BERZH
Forumi i investimeve të dhomave të gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor, mes të cilave edhe Shqipëria, planifikon që të nxjerrë një platformë të re të investimeve online. Prezantimi i iniciativës së re do të bëhet gjatë takimit të radhës më datë 26 shkurt, deklaroi kreu i dhomës së tregtisë së Serbisë.
Platforma e investimeve do të prezantohet kështu gjatë forumit që do të mbahet së bashku me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Londër dhe do t`i mundësojë investitorëve të ndryshëm të njihen me indikatorët kyç makroekonomike, informacion më të gjerë mbi rregullatorët dhe ligjet në secilin vend, incentivat fiskalë si dhe furnizuesit.
“Në gjashtë muajt që prej krijimit të sekretariatit të përhershëm të forumit të investimit të dhomave, është ngritur një zyrë në Trieste që do të çojë përpara projektet e përbashkëta me mbështetjen e Bashkimit Europian brenda kornizës së procesit të Berlinit”, deklaroi Marko Cadez, president i dhomës serbe të tregtisë.
Iniciativa është firmosur në vitin 2015 nga vendet e rajonit dhe ka për synim që të nxisë bashkëpunimin rajonal. Shqipëria përfaqësohet në këtë iniciativë me Bashkimin e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë.
Forumi i investimeve të BERZH në Londër ku fokusi vihet te Ballkani Perëndimor është i nivelit të lartë, pasi mblidhen sëbashku kryeministrat e rajonit.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.