Projektet për Piramidën ndër vite – Nga idetë më të mira tek ato më të “çmendura” me teleferik, pistë vrapi
Piramida në qendër të Tiranës do të transformohet së shpejti. Pas vitesh të tëra ku me dhjetëra ide, plane dhe projekte janë prezantuar, shpallur fituese, e më pas rikthyer heshtjes, godina ikonë e ndërtuar si mauzole për diktatorin Enver Hoxha, do të ketë një fytyrë të re.
Pas rrëzimit të komunizmit, Piramida përdorej shpesh për panaire dhe ekspozita të ndryshme. Një pjesë e godinës pas viteve 2000 përdorej për studio televizive dhe kafene. Në vitin 2007 u realizua një konkurs ndërkombëtar për ta shndërruar në një teatër dhe qendër të arteve vizuale, por asnjë propozim nuk u ndërtua.
Më pas në 2010-ën u kërkuar një tjetër konkurs, por kësaj radhe për të shembur Piramidën dhe për të ndërtuar parlamentin e ri në vend të saj.
Vite më vonë, në vitin 2014, një konkurs ndërkombëtar që kishte në fokus arkitektët e rinj, kërkonte ide të reja për transformimin e ndërtesës. “Konkursi Arkitektura e Humbur” pati dhjetëra propozime dhe shpalli 1 fitues dhe 4 projekte të tjera të konsideruara si më të mirat.
Sot në bashkëpunim me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, Piramida do të shndërrohet në një qendër të madhe multifunksionale për të rinjtë. Sipas Bashkisë së Tiranës, aktualisht po bisedohet me disa nga studiot më të mira të arkitektëve dhe brenda Majit do të ketë një prezantim publik të projektit final.
Ndërkohë, SCAN ka bërë një listë me projektet më inovatore, edhe pse shpesh të “çmendura”, për transformimin e Piramidës. Në këtë listë interaktive mund të zgjidhni për projektin që ju ka pëlqyer më shumë.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.