Projektet për zhvillimin urban – Veliaj: Do t’i financojmë, zbatimi nis vitin e ardhshëm
Bashkia e Tiranës do të financojë projektet e ideuara nga arkitektët e Universitetit të Harvard-it, në bashkëpunim me studentë të shqiptarë. Tre projektet e prezantuara kishin në fokus zhvillimin e Parkut Qendror të Bulevardit të Ri, poliqendrën e Kombinatit dhe fasadat e qytetit. Gjatë prezantimit të projekteve, Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj siguroi se ato do të kalojnë në fazën e financimit dhe zbatimit vitin e ardhshëm.
“Angazhimi ynë është që t’i kthejmë këto ëndrra të bukura në projekte. Bashkia e Tiranës do të vendosë në dispozicion buxhetin dhe stafin e nevojshëm për realizimin e të treja projekteve. Pra, edhe projektin e Parkut Qendror te Bulevardi i Ri, edhe projektin e ndërhyrjeve në Kombinat, edhe projekti i artit publik i fasadave që shkon në fakt edhe me imazhin dhe reputacionin që ka Tirana, si qytet që provokon me art dhe ngjyra. Kështu që, mezi pres që këto projekte konkrete t’i buxhetojmë këtë vit dhe vitin tjetër të nisim nga puna”, tha Veliaj.
Duke u ndalur në secilin prej punimeve, ai theksoi se projekti për krijimin e Parkut Qendror te Bulevardi i Ri bën të mundur të ecet në të njëjtën kohë si me ndërtimin e pjesës së dytë të tij edhe në krijimin e një hapësirë argëtuese.
“Ajo që më pëlqen është se së pari, për projektin e Bulevardit të Ri, për herë të parë kemi jo vetëm zhvillim të infrastrukturës, por paralelisht po ecim edhe me Parkun Qendror, për të mos lënë gjithmonë të fundit pjesët publike, por për të ecur paralelisht si me interesin komercial të zhvilluesve, edhe me punën infrastrukturore të bashkisë”, u shpreh Veliaj.
Më tej, kryebashkiaku theksoi se nevojat apo problemet e tjera nuk duhet të jenë kurrsesi shkak për të frenuar zbatimin e ideve që sjellin zhvillimin në infrastrukturë.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.