Projekti i bulevardit – Veliaj: Drejt fundit segmenti i dytë, mbyllet me shesh si ‘Nënë Tereza’
Punimet në segmentin e dytë të Bulevardit të Ri janë drejt fundit dhe shumë shpejt do të hapet për qytetarët. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, teksa inspektoi punimet tha se hapja e këtij segmenti do të mundësojë edhe lidhjen e bulevardit me disa rrugë dytësore.
Punimet në segmentin e dytë të Bulevardit të Ri janë drejt fundit dhe shumë shpejt do të hapet për qytetarët. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, teka inspektoi punimet tha se hapja e këtij segmenti do të mundësojë edhe lidhjen e bulevardit me disa rrugë dytësore.
“Jemi duke punuar në gjysmën e dytë të segmentit dhe është çështje kohe sa të prekim Bregun e Lumit, aty ku Bulevardi bashkohet me projektin e Parkut Qendror, për të krijuar ndoshta projektin më të madh inxhinierik dhe infrastrukturor për Tiranën. Kemi mbaruar me shumicën e punimeve, po presim për pak mot të mirë, që të kemi mundësi të vazhdojmë me asfaltin. Për banorët e zonës që kanë shijuar segmentin e parë, e kuptojnë se filozofia e Bulevardit është kryesisht një aks për njerëzit, pastaj edhe për makinat, ama njerëzit janë prioritet”, tha Veliaj.
Sipas Veliajt, Bulevardit të Ri do t’i japë qytetit jo vetëm një zonë të re zhvillimi, por edhe një hapësirë të madhe të gjelbëruar, ndërsa shtoi se projekti do të përfundojë me një shesh të ngjashëm me sheshin “Nënë Tereza”.
“Përveç një projekti të madh infrastrukturor, këtu kemi edhe një nga projektet më të mëdha të gjelbërimit. Siç e shikoni, kemi mbjellë mbi 400 pisha dhe po vazhdojmë me konturin e qëndisur me pisha të bulevardit të vjetër historik të Tiranës. Një nga gjërat që më vjen mirë për këtë projekt, janë jo vetëm pishat, por edhe 40 mijë shkurre dekorative. Kemi marrë edhe një vendim përsa i përket mbylljes ceremoniale të Bulevardit. Duke qenë se Bulevardi fillon me sheshin “Nënë Tereza”, pastaj me godinat dhe sheshin Skënderbej në mes, do të kemi një përfundim të ngjashëm edhe në pjesën e Bregut të Lumit, me një elips, shkallaret, kolonat dhe një hapësirë të madhe për aktivitete publike”, shprehet ai.
Sipas Velijat ky projekt zhvillon gjithë zonën zonën, pasi për herë të parë lagja po ndërtohet me infrastrukturën e nevojshme urbane.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.