Projekti i Pyllit Orbital/Zbatimi nis nga Farka, Veliaj: Do mbillen 2 milionë pemë
Bashkia e Tiranës ka nisur zbatimin e projektit për krijimin e Pyllit Orbital që do të rrethojë kryeqytetin me një brez të gjelbër me 2 milionë pemë.
Në fillimin e sezonit të ri të mbjelljeve të pemëve, kryebashkiaku Erion Veliaj mori pjesë në aksionin për shtimin e 200 fidanëve të rinj në Parkun e Liqenit të Farkës, ndërsa i bëri thirrje kompanive dhe qytetarëve t’i bashkohen kësaj nisme që synon shtimin e hapësirave të gjelbra.
“E fillojmë mbarë këtë stinë mbjelljesh me 200 pemët e para, për të vijuar deri në mars të vitit tjetër. Është pjesë e konceptit tonë për Pyllin Orbital dhe duam që pas Parkut të Liqenit, që tashmë vizitohet rregullisht nga 300 mijë qytetarë, edhe në zonën e Farkës, që shtrihet në Njësinë 2 dhe në Dajt, të shtojmë aktivitetet argëtuese, të kemi më shumë animime, sporte dhe organizime në natyrë. Nën shembullin e DHL-së, edhe shumë kompani të tjera do të kenë mundësi të na japin një dorë. Të gjithë vullnetarët që janë këtu sot kanë bërë diçka jashtëzakonisht të dobishme dhe kanë vendosur që të mos bëhen pjesë e kategorisë së njerëzve që ankohet, por e atyre që thonë: Unë do të bëj diçka, po ndryshoj këtë realitet sepse mbjellja e pemëve s’mund të jetë monopol as i bashkisë dhe as i një kompanie të caktuar”.
Kreu i Bashkisë theksoi se në një qytet si Tirana, ku numri i automjeteve është mbi 200 mijë, raporti i mbetjeve dhe i ndotjes mund të balancohet nga mbjellja e dy pemëve për makinë.
“Në një qytet si Tirana, që ka 200 mijë makina të vetat, nga 50-60 mijë që vijnë nga rrethet çdo ditë, na duhet të mbjellim 500 mijë pemë për të zeruar të gjithë efektin dhe ndotjen që shkaktojnë ato”.
Në njësinë administrative Farkë janë mbjellë 3000 fidanë të drurëve dekorativë e pyjore në territore publike, si dhe 2000 rrënjë fidanë ulliri, duke e kthyer Parkun e Farkës në një atraksion natyror që shfrytëzohet jo vetëm si ambient çlodhës për komunitetin e shtuar të banorëve në këtë zonë, por edhe nga turistët ditorë për aktivitete sportive.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.