Projekti për aksin rrugor në Tiranë/ Miratohet fondi 51.3 milionë lekë për shpronësimet!
Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i rrugës “Isuf Balta”, Tiranë”. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Tiranë.
Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, për pasuritë e llojit “truall”, do të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës me vlerë të përgjithshme prej 51 milionë e 306 mijë e 408 lekë. Ky fond shpronësimi do të përballohet nga fondet e Bashkisë Tiranë.
Pronarët do të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues pranë Bashkisë Tiranë.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Veri, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit, mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjnë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Veri do të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin që të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, si dhe kalimi i pronësisë në favor të shtetit për pasuritë e shpronësuara.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.