Projektligji për dhomat e tregtisë – Uruçi: Pagesa vjetore prej 25% të fondeve, barrë për biznesin
Përfaqësues të dhomave të tregtisë e kanë kundërshtuar gjatë anëtarësimin në unionin e dhomave, e parashikuar kjo në projektligj. Në prezantimin e projektligjit pranë komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, Tregtisë dhe Industrisë, Alketa Uruçi , anëtare e Dhomës Amerikane të Tregtisë u shpreh se kjo është një kosto për biznesin, i cili detyrohet të bëj një pagesë vjetore prej 25% të fondeve, duke e quajtur këtë barrë shtesë.
“Nuk është në pajtim me parimet e përgjithshme kushtetuese që një subjekt, apo qoftë edhe një individ të regjistrohet në shoqatën që ai dëshiron dhe ku ndihet i përfaqësuar. Dhe së dyti është një kosto shtesë për biznesin, i cili është i detyruar që të bëjë një pagesë për një dhomë tregtie ku është i detyruar të regjistrohet, pa vullnetin e tij”, tha Uruçi.
Por për Kryetaren e Unionit të Dhomave të Tregtisë, Ines Muçostepa, ky ligj i ri është një domosdoshmëri për ekonominë e vendit. Pro kësaj nisme ishin edhe organizatat e biznesit.
“Mendoj që të gjithë personat këtu në sallë tashmë janë shumë të qartë për rëndësinë e një ligji të dhomave të tregtisë apo për organizmin e sipërmarrjes. Ne vetë si dhoma tregtie kemi kohë që mendojmë që organizimi i institucionit të sipërmarrjes është goxha i rëndësishëm për të gjithë ne, jo vetëm ne si dhoma tregtie, por edhe për të gjitha shoqatat apo dhomat mikse që janë këtu mes nesh”, u shpreh Muçostepa.
Sipas projektligjit, dhomat transferojnë pranë bashkimit të dhomave të tregtisë dhe industrisë 25% të fondeve të mbledhura nga kuota e anëtarësimit brenda datës 15 prill të çdo viti.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.