Prokurimi i përqendruar për barnat – Vlera dhe sasia e blerjeve është në ulje që nga viti 2014
Prokurimi i përqendruar për blerjen e barnave nga Ministria e Shëndetësisë ka ardhur në ulje si rezultat i vendosjes së fondit limit nën shumën 800 mijë lekë pa TVSH, të cilat janë brenda fondit për prokurim me vlerë të vogël dhe ju delegohen spitaleve.
Duke bërë një krahasim të blerjeve të barnave të realizuara nga Ministria e Shëndetësisë nga viti në vit, bie në sy një diferencë mes fondeve të planifikuara dhe atyre të realizuara, por që nuk shprehin kursim.
Kjo për faktin se në këto të dhëna janë përfshirë edhe lotet e parealizuara që delegohen pranë institucioneve spitalore. Sipas specialistes për prokurimin publik pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Mbrojtjes Sociale, Valbona Dhrami numri i barnave të blera me prokurim të përqendruar ka ardhur në rënie.
Nëse flasim për vlerat financiare të përdorura për blerjen e këtyre barnave nga Ministria e Shëndetësisë rezulton se në vitin 2013 janë shpenzuar 1.3 miliardë lekë për blerjen e 310 barnave, ndërkohë që në këtë vit barnat kishin TVSH 10%. Në 2014 janë blerë 525 barna në vlerën e 1.4 miliardë lekë.
Në 2015 janë blerë 143 barna me vlerë 1.1 miliardë lekë dhe në 2016 janë blerë nga Ministria e Shëndetësisë 154 barna në vlerën e mbi një miliard lekë. Pas prillit të vitit 2014 është hequr TVSH-ja për barnat.
Specialistët e shëndetësisë dhe praktikat e huaja sugjerojnë që për një menaxhim sa më të mirë të fondeve për blerjen e medikamenteve duhet të jenë vetë spitalet që ti realizojnë ato, pasi funksioni i Ministrisë së Shëndetësisë është në hartimin e politikave dhe të strategjive për të siguruar shëndet tek popullata.
Kuptohet që blerja e medikamenteve nga spitalet duhet të realizohet nën monitorimin e institucioneve përgjegjëse siç janë Ministria e Shëndetësisë, e Financave si dhe Fondi i Kujdesit Shëndetësor.
Por që të realizohet kjo do të duhet që më parë të treja këto institucione të delegojnë kompetencat që ju takojnë spitaleve duke ju dhënë autonominë e plotë në vendimmarrje. Aktualisht edhe pse spitalet hartojnë vetë listat e nevojave, është Ministria e Shëndetësisë ajo që vendos së kë pjesë të kërkesave do të plotësoj për spitalet në bazë të buxhetit që është hartuar më parë.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.