Prokuroria, pengesë për ILDKPKI/ Raporti i Greco-s: Dosjet e zyrtarëve të lartë nuk hetohen penalisht siç duhet, t’i kalohen SPAK
Një numër i konsiderueshëm dosjesh zyrtarësh të lartë janë dërguar nga ILDKPKI në Prokurori, por nuk janë hetuar nga kjo e fundit. Këtë përgjigje i kanë dhënë punonjësit e ILDKPKI ekipit të vlerësusve të GRECO-s, Grupit të Shteteve Kundër Korrupsionit. Në raportin e sapo publikuar për Shqipërinë, GRECO konkludon se mungesa e proaktivitetit dhe efektivitetit të prokurorisë është theksuar nga disa bashkëbisedues të grupit vlerësues si një shpjegim për nivelin e dobët të zbatimit konkret të raporteve të ILDKPKI.
Kjo, sipas raportit, pengon rolin e ILDKPKI në hetimin e deklarimeve të rreme ose rasteve të korrupsionit, përfshirë këtu edhe PTEF-të. Brenda Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm (prokuroria e krimeve të rënda), vetëm një prokurori, të mbështetur nga një ndihmës ligjor dhe një sekretar administrativ i është besuar ndjekja e procedurave të kontrollit të integritetit. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) dhe Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimeve të Organizuara janë ngritur dhe SPAK ka filluar të funksionojë në dhjetor 2019 dhe ka në përbërje 12 prokurorë (nga 15 të planifikuar).
Ai mbështetet nga një staf teknik, përfshirë 13 oficerë të policisë gjyqësore dhe 36 staf administrativ. Për më tepër, Drejtuesi i Byrosë Kombëtare të Hetimit ndihmon punën e Prokurorisë të Posaçme dhe procesi i emërimit të 60 prokurorëve po vazhdon aktualisht. SPAK ka paraqitur disa kërkesa për gjykimin e çështjeve penale në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Bashkëpunimi institucional midis ILDKPKI dhe SPAK është formalizuar veçanërisht përmes një Memorandumi Mirëkuptimi.
Sidoqoftë, verifikimet e ILDKPKI në vitet 2015-2019 rezultuan në disa referime në prokurori ose tek autoritetet tatimore për dyshim të fshehjes së pasurive që kishin të bënin me një ministër të arsimit në vitin 2015, një zëvendësministër dhe një këshilltar në vitin 2017, 4 këshilltarë në vitin 2018, 4 këshilltarë dhe 4 zëvendësministra në vitin 2019. Një ish-ministër i Punës u dënua për veprën penale të “vjedhjes me anë të shpërdorimit të detyrës” dhe u dënua me dy vjet burg.
Në raportin përfundimtar, GRECO rekomandon që i) të përfundojë si një çështje me përparësi rekrutimi i stafit të prokurorisë dhe stafit teknik në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) dhe që anëtarëve të tij t’u ofrohen burime të përshtatshme njerëzore dhe teknike dhe prokurorët të marrin trajnim specializimi të lartë, dhe ii) të vendoset në mënyrë efektive bashkëpunimi i duhur me ILDKPKI për të përmirësuar në mënyrë të efektshme zbatimin e raporteve të ILDKPKI në rastin e shkeljes të ligjeve mbi konfliktin e interesave dhe deklarimit të pasurisë nga PTEF dhe punonjësit e policisë.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.