Promovimi i produkteve vendase – Veliaj: Ndihmë banorëve, për fondet e Ministrisë së Bujqësisë
Banorët në zonat periferike duhet që të orientohen drejt zhvillimit të agroturizimit dhe të përfitojnë nga fondet e vendosura në dispozicion nga Ministria e Bujqësisë dhe AZHBR-ja, për zhvillimin e këtij biznesi. Këtë thirrje ka bërë kreu i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, gjatë vizitës së tij në panairin e produkteve agro- dhe prodhimet artizanale në zonën e Ndroqit.
“Sot turizmi numër një në Itali e Greqi nuk është deti. Për herë të parë ka qenë agro-turizmi, turizmi në fshat. Ndaj, dua t’ju ftoj të gjithëve të përdorim fondet e Ministrisë së Bujqësisë, AZHBR-së, për ta kthyer shtëpinë ose dhomat shtesë, në një lloj bujtine. Ndaj, kush i ka mundësitë, duhet të fillojë ta mendojë si biznes të mirëfilltë familjar. Bashkia e Tiranës do bëjë çmos që të ndihmojë secilin për aplikimet”, tha Veliaj
Vera n’shesh është një tjetër festë lokale, që bashkia e kryeqytetit kërkon ta kthejë në një traditë për promovimin e produkteve vendase, por edhe vendosjen e zonës në hartë si atraksion turistik.
“Kemi marrë përsipër që, përveç festës në shesh që duam ta bëjmë çdo vit, në Shëngjergj do të bëjmë festën e domates, në Baldushk do të vazhdojmë me festën e gjelit të detit, diku tjetër me festën e mjaltit, mandej me festën e vajit të ullirit; në qoftë se të gjitha rrethinat e Tiranës mbushen me aktivitete të tilla, besoj se do t’i japim emër markave “Made in Tirana” dhe “Made in Albania”, u shpreh kryebashkiaku.
Kjo festë është një nga projektet e fituara nga Bashkia e Tiranës në konkursin e parë kombëtar të quajtur “Festat Lokale” për zonat bregdetare, juglindore dhe zonat e identifikuara në strategjinë e “100 Fshatrave”.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.