Promovimi i turizmit përmes “Smile Albania” – Klosi apel të rinjve: Aplikoni për projektin
Rreth 1 mijë të rinj do të angazhohen për të promovuar turizmin shqiptar përmes projektit “Smile Albania”, I cili do të shtrihet gjatë gjithë sezonit turistik në të gjitha pikat hyrëse dhe zonat turistike.
Ministri I Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, nga Kalaja e Gjirokastrës në Ditën Ndërkombëtare të Biodiversitetit u ka bërë thirrje të gjithë të rinjve që të aplikojnë për këtë projekt. Ky ishte edhe mesazhi që përcolli Klosi në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të konkursit të parë kombëtar të fotove-selfie në natyrë ku morën pjesë rreth 600 pjesëmarrës.
“Për ministrinë e Turizmit tashmë në kuadër edhe të sezonit të ri turistik, projekti Smile Albania është një projekt që do të shoqërojë të gjithë sezonin turistik, është një projekt të cilin ne e fokusojmë në paraqitjet e bukurisë së natyrës shqiptare por edhe në mikpritjen e turistëve që vijnë në vendin tonë, dhe prandaj mendoj që këto foto kaq të bukura, të 600 të rinjve dhe të reja që buzëqeshin, mund të jenë në fakt edhe thelbi i projektit tonë për të mikpritur turistët në Shqipëri me buzëqeshje”, tha ministri.
Duke u ndalur te edukimi mjedisor, Klosi shtoi se ky i fundit duhet të përfshihet në kurrikulat shkollore si dhe duhet të shërbejë si një edukim ndër breza.
“Ne vazhdojmë të kemi bindjen se duke rritur forcën e ligjit, por duke rritur edhe më shumë edukimin mjedisor dhe dashurinë e njerëzve, Shqipëria padyshim do të paraqitet si në fotot tuaja e mrekullueshme, e pastër e bukur dhe me shumë veçori e natyrisht e gatshme për të pritur turistë nga e gjithë bota si destinacion turistik europian” u shpreh Klosi.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.