Pronat, çmimet në rritje – 54% e blerjeve financohen me kredi bankare
Më shumë se gjysma e pronave të shitura në tregun e pasurive të paluajtshme blihen me kredi bankare. Vrojtimi periodik i Bankës së Shqipërisë me firmat e ndërtimit dhe agjentët e pasurive të paluajtshme tregoi një përmirësim të tregut gjatë gjysmës së dytë të vitit 2018, krahasuar kjo me 6-mujorin e parë dhe me prirjen afatgjatë. Vëllimi i shitjeve dhe çmimet kanë shënuar rritje, ndërsa të intervistuarit raportojnë që rreth 54% e pronave për banim dhe e atyre për përdorim tregtar janë blerë me hua nga bankat.
Edhe nga vrojtimi i aktivitetit kreditues të Bankës së Shqipërisë për 3-mujorin e fundit 2018 rezultoi se kërkesa e individëve për kredi për pasuri të paluajtshme ka ardhur në rritje, ndërkohë që kushtet e miratimit për këtë lloj kredie kanë vijuar të lehtësohen.
Çmimet e banesave, të llogaritura sipas Indeksit Fischer, për shitjet e kryera në gjysmën e dytë të vitit 2018, janë rritur me 5% në krahasim me gjashtëmujorin e parë dhe me 15.2% në krahasim me periudhën bazë, që është viti 2013. Për zonën e Tiranës indeksi regjistroi një rritje prej 3.8% ndaj periudhës paraardhëse dhe 14.2% që nga viti 2013.
Indeksi ndërtohet mbi bazën e informacionit të raportuar nga shoqëritë e ndërtimit dhe agjentët që operojnë në tregun e pasurive të paluajtshme.
Të intervistuarit janë shprehur që koha mesatare e shitjes së pronave në rang vendi, gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit, ishte mesatarisht 10.9 muaj ose rreth 1 muaj më e gjatë se në gjashtëmujorin e kaluar. Për Tiranën, koha e shitjes është rritur me një deri në dy muaj, ndërsa për zonën e bregdetit koha e shitjes është shkurtuar me rreth 2.5 muaj. Pritjet e agjentëve për të ardhmen afatshkurtër dhe afatgjatë vijojnë të jenë optimiste.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.