Pronësia Intelektuale në Ballkan, Banka Europiane e Investimeve cakton firmën mbështetëse
Banka Europiane e Investimeve ka zgjedhur firmën ClearViewIP për të mbështetur programin e suportit në pronësinë intelektuale dhe asetet jo materiale në Ballkanin Perëndimor.
Firma Këshilluese do të veprojë në Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Maqedoni, Kosovë, Malin e Zi dhe Serbi. Qëllimi i saj do të jetë të krijojë një udhëzues të drejtuar tek zhvillimi i mundësive për investime dhe potencialit për financim në fushën e pronësisë intelektuale.
Në një deklaratë për shtyp, kompania e bazuar në Mbretërinë e Bashkuar shprehet “e ngazëllyer për të punuar me BEI dhe është në pritje të takimeve me bizneset e vogla e të mesme si dhe me aksionerë kyç të Ballkanit Perëndimor për të çliruar potencialin e plotë të rajonit në Pronësinë Intelektuale”.
Eksperienca 10 vjeçare e kompanisë pritet të ketë një impakt pozitiv në sektorin e pronësisë intelektuale në vendet Ballkanit Perëndimor, duke ndihmuar në ndërtimin dhe forcimin e dosjeve të patentave dhe përfitimin ekonomik prej tyre.
Programi për zhvillimin e ndërmarrjeve dhe inovacionit është lançuar nga BEI dhe BERZH në dhjetor 2012, me synimin për të përmirësuar aksesin në financa të biznese të mesme dhe të vogla si dhe për të ndihmuar në zhvillimin ekonomik të rajonit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.