Pronësia, “pika e dobët” e bujqësisë, Peleshi: Vitin e ardhshëm nis punë agjencia, problematika drejt zgjidhjes
Çështje a pronësisë është një ndër problematikat kryesore që pengon zhvillimin e bujqësisë në vend dhe që është një ndër sfidat kryesore të Ministrisë së Bujqësisë për ti dhënë zgjidhje. Në një intervistë për TV SCAN, Ministri Niko Peleshi, thekson se aktualisht pothuajse 50 për qind e titujve të pronësisë nuk janë të regjistruar në hipotekë.
“Pika më e dobët do të thoja unë që nuk është vetëm për bujqësinë por në përgjithësi, është çështja e pronës. Pothuajse 50 për qind e titujve të pronësisë nuk janë të regjistruar në hipotekë. Kemi disa zona në veri sidomos, por jo vetëm, ku ligji 7501 nuk është zbatuar fare, pra është një mori çështjesh që duhen zgjidhur derisa të kemi fermerë që kanë një tapi për tokën që punojnë. Pse është kjo e rëndësishme? Nëse nuk shkëmbehet, nuk shitet, nuk jepet me qira, ne pastaj s’mund të flasim dot për ndërtimin e fermave më të mëdha dhe për të rritur madhësinë mesatare të fermës që sot e kemi 1-1.3 ha”.
Lajmi i mirë është që vitin e ardhshëm do të fillojë nga puna agjencia e re e titujve të pronësisë që do të fusë në rrugën e zgjidhjes këtë problematikë.
Pra, duhet çliruar tregu që pastaj të flasim për rritje të produktivitetit dhe rritje të ekonomisë së shkallës në bujqësi. Besoj që nga fillimi i vitit që vjen do të fillojë nga puna agjencia e re e titujve të pronësisë që do të integrojë brenda vetes disa agjenci, do të unifikojë hartat, atë mish-mashin e hartave të institucioneve tona, gjë që është dhe shkaku kryesor pse krijohen mbivendosje, gjyqe, stërgjyqe, pse është kaq e vështirë që të regjistrohet një titull pronësie dhe do të hyjmë me shpejtësi në një proces që shpresoj që do të përmbushë angazhimin tonë politik për ta zgjidhur çështjen e titujve të pronësisë, të paktën në fshat, brenda këtij mandati.
Çështja e pronësisë është parë si problematikë edhe nga bizneset e huaja në vend, pasi frenon investimet e mëdha.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.