Propozimet e forta/Basha prezanton planin: Parlamenti me dy dhoma, votim elektronik dhe qeveri kujdestare
Tryeza e reformës zgjedhore është shtyrë për ditën e sotme, kërkesë kjo e Partisë Demokratike, e cila ka zgjedhur t’i drejtohet në një konferencë të rinjve dhe intelektualëve ku ka bërë publike propozimet për ndryshimin e sistemit të ri zgjedhor duke shkuar edhe më tej për të kërkuar ndryshimin e të gjithë sistemit politik në Shqipëri.
Sipas kryedemokratit Basha, në Shqipëri sistemi zgjedhor është i prishur pasi fituesi rezulton të jetë në shumë raste i paracaktuar dhe për këtë arsye rregullat duhen ndryshuar. Në këtë mënyrë sipas tij nevojitet një “Sistem zgjedhor jo vendim i partive politike, por i popullit”, tha ai.
Më poshtë janë edhe propozimet të bëra publike:
1 – Kontroll të plotë kushtetues dhe ligjor mbi kandidatët, që të jenë të pastër dhe me integritet. Kontrolli të bëhet nga një organizëm i pavarur.
2 – Tolerancë zero për ata që përfshihen në shitblerjen e votës. Edi Rama i ka mbrojtur dhe promovuar, ne do t’i çojmë në burg.
3 – Financimi i partive, që ato të mos varen nga biznese dhe individë të pasur. Politikanët të varen nga njerëzit dhe të kontrollohen prej tyre. Kush financon partitë, përjashtohet nga marrja e tenderëve publikë pas zgjedhjeve, që të mos përfitojnë për shkak të donacioneve për partitë.
4 – Identifikim, votim dhe numërim elektronik. Do t’i bëjë zgjedhjet më të ndershme dhe rezultatin më të shpejtë.
5 – Sistemi. Ne duam një sistem të thjeshtë, të qartë, përfaqësues. Një sistem, që i kërkon llogari qeverisë.
6 – Ngritja e një Senati për llogaridhënien e qeverisë. 40 anëtarët e Senatit zgjidhen bashkë më 100 anëtarët e Parlamentit. Parlamenti me dy dhoma nuk rrit koston për qytetarët, por ndryshon mundësinë për t’u shërbyer njerëzve në mënyrë pozitive.
7 – Derisa Shqipëria të bëhet anëtare e BE, 100 ditë para zgjedhjeve shqiptarët të kenë një qeveri kujdestare për të menaxhuar procesin, për të garantuar zbatimin e ligjeve dhe votën e lirë.
Siç duket nga pikat Basha vazhdon të insistojë për një qeveri kujdestare, që do të granatojë zgjedhje të lira dhe të pavaruara, e cila do të ndikojnë pozitivisht sipas tij edhe për pritjen e përgjigjes në hapjen e negociatave nga Komisioni Europian.
Gjithashtu sipas tij, ndryshimi i sistetmit politik duke e bërë Parlamentin me dy dhoma, do t’i bëjë ballë arrogancës së çdo qeverie, e cila tashmë për miratimin e ligjeve duhet të gjejë konsensus në të dyja dhomat. Me këto propozime pritet që Partia Demokratike të ulet në tryezë, për të gjetur dakordimin dhe me Partinë Socialiste dhe opozitën parlamentare.
Socialistët janë shprehur komod me sistemin aktual, por shprehen të hapur për diskutime nëse dy opozitat parlamentare dhe jashtëparlamentare kërkojnë prekjen e sistemit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.