Propozimet e KE – Villeroy mbështet planet për buxhetin, ministrin dhe borxhin kolektiv
Guvernatori i Bankës së Francës, Franccois Villeroy de Galhau, mbështeti propozimin e Komisionit Europian për të krijuar një fond të stabilizimit të Eurozonës si dhe planet e një buxheti të financuar nëpërmjet huamarrjes dhe menaxhuar nga një ministër të përbashkët të financave.
Komisioni deklaroi më herët gjatë javës se Eurozona mund të ketë nevojë të emetojë borxh kolektiv dhe të administrojë një buxhet të përbashkët. Gjermania ishte kundër planeve për emetimin e borxhit kolektiv. Grupi i qendrës së djathtë në Parlamentin Europian bëri të ditur se Qeveritë duhet të nisin fillimisht të vëzhgojnë rregullat ekzistuese të BE përpara se të thellojnë bashkëpunimin. Villeroy tha në Forumin Ekonomik të Brukselit se Eurozona duhet ta nisë me një fond të stabilizimit, që gjenerohet nëpërmjet huamarrjes dhe që vlen 1-2% të PBB-së së Eurozonës. Fondi do të suportojë politikat e qeverive që përballen me goditje asimetrike të ekonomisë, nëpërmjet kredive.
Për të pasur sukses me fondin, Eurozona duhet të krijojë gjithashtu një Ministri të Financave, që do të ketë pjesëmarrje edhe në Komisionin Europian dhe të jetë njëkohësisht kryetari i ministrave të Financave të Eurozonës.
Ministri duhet të përfaqësojë gjithashtu Eurozonën në takimet ndërkombëtare. Villeroy tha se në terma afat-gjatë, ndërkohë që besimi i përbashkët mes vendeve të eurozonës rritet, mund të krijohet një buxhet i Eurozonës, i udhëhequr nga ministri.
“Megjithatë, nuk duhet kurrsesi të ngatërrohet me një “Union Transfertash” të njëanshëm. Këtu e kuptoj shqetësimin e Gjermanisë”, tha Guvernatori i Bankës së Francës, duke mbështetur kundërshtinë e Gjermanisë për idenë e vendeve të pasura të BE që japin para të taksapaguesve drejt vendeve më të varfëra.
“Buxheti duhet të sjellë përfitime për të gjitha vendet, dhe duhet të rrënjoset në rritjen e konvergjencës ekonomike”, tha ai. Buxheti do të përdoret për të financuar disa të mira publike europiane si teknologjia dixhitale, tranzicioni drejt formave të tjera të energjisë dhe integrimin e refugjatëve.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.