Proteinat në miellin e bukës, Unioni: Të shtohen kontrollet në dogana, kufizim importi miellit të biskotave
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit duhet të shtojë kontrollet në pikat doganore ku importohet miell, ndërkohë që për miellin që përdoret për ëmbëlsira duhet të jetë e detyrueshme vendosja në etiketë e destinacionit të përdorimit”.
Kërkesa vjen nga kreu i Unionit të Prodhuesve të Miellit, Adi Haxhiymeri, i cili thotë se vendimi i vitit 2014 i cili parashikoi uljen e përmbajtjes së proteinave nga 12.5% në 9% për miellin e ëmbëlsirave apo biskotave i ka hapur rrugën abuzimeve, pasi ky produkt po përdoret edhe për bukën.
Po ashtu, sipas kreut të Unionit, në mënyrë që të minimizohet mundësia e abuzimeve është e domosdoshme që të ketë një kufizim mbi sasisë e miellit që importohet nga jashtë për prodhimin e ëmbëlsirave dhe biskotave.
Buka është një nga ushqimet kryesorë, përmes së cilit shqiptarët sigurojnë proteinat e nevojshme për organizmin. Mungesa e tyre shkakton një sërë problemesh shëndetësore që lidhen me metabolizmin, kockat dhe imunitetin.
Kjo është edhe arsyeja, që ka detyruar autoritetet shtetërore në Shqipëri dhe në botë që të vendosin një nivel minimal të detyrueshëm në miellin që përdoret për prodhimin e saj.
Legjislacioni shqiptar përcakton se ky nivel duhet të jetë 12%, ndërsa në vendet e Bashkimit Evropian ai shkon në 14%.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.