Proteinë sintetike e prodhuar nga muskuj njerëzor – Materiali mund të përdoret për të bërë veshje dhe objekte të ndryshme super rezistente
Një fibër tekstili e bërë nga një proteinë e muskujve hap rrugën për një gjeneratë të re të materialeve sintetike super të forta.
Një proteinë sintetike, shumë e ngjashme me ato që gjenden në muskujt e njerëzve dhe kafshëve, mund të jetë çelësi për të bërë fibra tekstili tepër të forta për t’u përdorur në veshje, forca të blinduara të trupit, mbrojtje motoçikletash dhe sende të ngjashme. Materiali i ri u bë nga Profesor Fuzhong Zhang i departamentit të kimisë dhe inxhinierisë të Universitetit të Uashingtonit (Saint Louis, Missouri).
Zhang dhe ekipi i tij ishin në gjendje për herë të parë të sintetizojnë titin, një nga përbërësit kryesorë të proteinave të indeve të muskujve, në laborator. Është proteina më e madhe e njohur dhe ka qenë prej kohësh subjekt kërkimi për vetitë e saj, të cilat e bëjnë atë materialin ideal për aplikime të ndryshme të teknologjisë së lartë, siç është ndërtimi i robotëve të butë.
Në fakt, kjo proteinë është jashtëzakonisht elastike dhe e fortë dhe ka një kapacitet të lartë për të shpërndarë energjinë mekanike në formën e nxehtësisë, një karakteristikë që e bën atë veçanërisht të përshtatshme për thithjen efektive të goditjeve dhe dëmtimeve. Materiali u bë falë përdorimit të baktereve të modifikuara gjenetikisht të afta për të bashkuar segmente të vogla të titinës në një polimer të vetëm të madh i cili më pas u “rrotullua” në një fibër me një diametër prej 10 mikronë, një e dhjeta e flokëve.
Sipas studiuesve, proteina sintetike mund të jetë e dobishme edhe në fushën mjekësore: duke qenë biokompatibël mund të përdoret për të bërë qepje veçanërisht rezistente ose si bazë për rindërtimin e indeve të dëmtuara. Teknologjia e përdorur është e shkallëzuar dhe me kosto të ulët dhe mund të modifikohet për të marrë edhe proteina të tjera: me pak fjalë, është një “platformë” e vërtetë që lejon që proteinat më të ndryshme të vëzhguara në natyrë të përsëriten në laborator. FOCUS
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.