Proteksionizmi në SHBA po bashkon pjesën tjetër të botës
Qëndrimi proteksionist i presidentit të Shteteve të Bashkuara Donald Trump mund të nxisë aleanca të hapjes së tregut mes Azisë, Lindjes së Mesme dhe Amerikës Latine me Bashkimin Evropian.
Jyrki Katainen, zv/Presidenti i Komisionit Europian për punësimin, rritjen, investimet dhe konkurrueshmërinë tha se refuzimi i marrëveshjeve tregtare shumëpalëshe dhe kërcënimi për taksa në doganë, po bëjnë që Bashkimi Europian të arrijë marrëveshje tregtare me vende si Japonia, Kina, India, Arabia Saudite, Meksika, Brazili dhe Argjentina.
Sipas tij, qasja e presidentit për të reduktuar deficitin tregtar prej 502 miliardë dollarë të Shteteve të Bashkuara mund të përbëjë më shumë një mundësi se sa kërcënim për Bashkimin Europian. Katainen, ish Kryeministri i Finlandës tha se Bashkimi Europian është një superfuqi tregtare dhe do të shfrytëzojë propozimet nga partnerë të tjerë ekonomikë.
Pas arritjes së një marrëveshje të tregtisë së lirë me Kanadanë, Bashkimi Europian po kërkon të bëjë progres në disa objektiva tregtare përfshirë një përmirësim të dakordësisë me Meksikën e deri te përfundimi i bisedimeve katër vjeçare me Japoninë. Ai theksoi gjithashtu përmirësimin e marrëdhënieve me Kinën.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.